Partia Demokratike Dega Vlorë ka depozituar kallëzimin penal për krime zgjedhore dhe shpërdorim detyre kundër Bashkisë Vlorë dhe Kryetarit të Bashkisë Vlorë Ermal Dredha, pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.
Është deklaruar se landfilli i Sherishtës është vendosur në funksion, por ky është premtim i pambajtur, edhe pse titullari i Bashkisë Vlorë ka deklaruar disa herë hapjen dhe funksionimin e plotë të këtij landfilli.
Kjo është një manovër elektorale, sepse siç e kemi parë mbetjet urbane atje depozitohen për “sy e faqe” dhe nuk procesohet seleksionimi i tyre dhe groposja, ashtu siç duhet të jetë cikli i plotë i përpunimit të mbetjeve urbane.
Kjo situatë ka shkaktuar katastrofën urbane në qytetin e Vlorës, ku ndotja është prezente në çdo pjesë të qytetit. Fusha e vendgrumbullimit të mbetjeve në Vlorë është një katastrofë mjedisore, e cila dita ditës tejmbushet mbi kapacitetin mbajtës së saj.
Partia Demokratike kërkon hetim të plotë dhe mbajtje përgjegjësie për këtë shkelje që dëmton jo vetëm mjedisin, por edhe integritetin e procesit zgjedhor.