Shkrim nga Çajup Shehaj-Kryetar FRPD Vlorë dhe z.Rezenbrik Serjani-Sekretar Funksional për Marrëdhëniet me Publikun
Duket sikur politika ka një manual standard strategjik të saj, i cili aq më shumë në vende si i yni, Shqipëria, perceptohet si domosdoshmërisht peng i pragmatizmit. Takime, premtime, dëgjesa, fjalime, shpërndarje emrash dhe programesh në terren, e të tjera praktika të kësisojta, të cilat me të drejtë, si të suksesshme, i shërbejnë një dhe të vetmit qëllim pragmatist, votës. Mirëpo, drejt e thashë, ky është vetëm perceptim.
Politika, më së shumti në vende si i yni, ku përfshirja në të dhe varësia prej saj është masive dhe e pakompromentueshme, duhet me doemos të shpërfaqë një tjetër botëkuptim. Ajo duhet të prihet nga beteja intelektuale, përkrahja dhe stimulimi në vijë të parë i intelektit dhe dijes, si të vetmet dhe absolutet mjete që i shërbejnë denjësisht qëllimit, vizionit. Pa dije nuk ka vizion politik, pa të mençur nuk ka liderë, pa intelekt nuk ka të ardhme, pa kaluar nga libri, nuk i shërben dot vendit në qeverisje. Ky nuk është pohim, është ligjësi tash e qindra vite.
Jemi mësuar thuajse gjithmonë që aksioni politik të jetë pasqyrë e një metode deduktive, kapilare, nga qendra drejt rretheve, nga politika qëndrore tek ajo lokale. Po kur filozofia, metoda dhe strategjia e të bërit politikë është e anasjellta, induktive? Si e tillë, ajo lind si risi dhe mendësi e politikëbërjes në rrethe dhe merret, përvetësohet me ose pa vullnet nga politika qëndrore. E tillë qasje është e përveçme, krejt unike, dhe kur bëhet fjalë për frymë të re, Vlora është egocentrike, ajo nuk e lëshon me kollaj stafetën e “Primis”.
Me drejtuesin politik të saj, në këtë fushatë elektorale të cilën premisat e premtonin të vështirë për t‘u përballur me mjete përtej atyre pragmatiste, Vlora jep përpara 11 Majit shembullin e fitores së një tjetër beteje, asaj intelektuale. Për rrjedhojë, ky qytet krenar sa i vështirë, jep shembullin e parë se si politika lokale, kur dhe vetëm si ekselente në disa drejtime, mund të kthehet në referim frymëzues për rrethet e tjera dhe qendrën.
Nuk zgjedh të flas në këtë shkrim për zhvillimin e betejës elektorale të drejtuesit politik të Vlorës, z. Bujar Leskaj, për të vetmin fakt se roli dhe forca e tij në elektorat në një qytet të damkosur si të pakthyeshëm në ngjyrë politike flet më shumë, po aq sa flet karriera e tij politike, po aq sa do të flasë rezultati i këtyre zgjedhjeve. Qëllimi im është ai i dritëzimit të një beteje paralele me atë elektorale, beteja intelektuale që drejtuesi politik i Vlorës zgjodhi të zhvillojë paralelisht, pjesë e pandarë e së cilës, kam qenë dhe unë si i ri e të shumtë nga bashkëmoshatarët e mi në strukturën politike që drejtoj.
Prej kur fushata elektorale u përfshi nga ethet e betejës për qeverisjen e ardhshme, z.Leskaj imponoi në Vlorë ndërthurjen e librit, dijes me politikën.
Prej promovimit të librit “Narkodiktatura shqiptare në oborrin e Evropës (N.K), tek promovimi i veprës “Ai dhe ajo … e çmendura” (V.V.H), Vepra e Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit, “Lepenica për figurën e Skënder Muços” (E.M) deri tek vetë libri i tij “Për/Në Kuvend – Shkrime dhe Diskutime Janar 2021 – Mars 2025”, ai gjeti hapësirën për librin në vrullin e aksionit politik në terren.
Çfarë shënjoi mesazhin në qasjen e tij, ishin dy takime të zhvilluara me të rinjtë e FRPD Vlorë, njëri prej të cilëve në ditën botërore të librit. Të dy takimet patën një simbolikë, tek i pari diskursi politik u përmbyll me dhurimin e librave nga z.Leskaj ndaj të rinjve, ashtu si në ditën e librit në Muzeun “Kosova”, dhuratë për të rinjtë ishin sërish librat. Politika që mirëpret brezin e ri përmes edukimit për librin, dhe këtu i referohem vetëm atyre publike, pa shpërfaqur bisedat thuajse të përditshme konfidenciale ku bashkëpunimi me të në fushatë, shoqërohet përherë me këshilla për shkollimin, arsimin, librin dhe rëndësinë e tij në politikë. A ka fund tjetër e tillë betejë veçse të jetë fituar?
E tillë qasje, ndërthurja e aktivitetit politik me atë intelektual, merr së pari valencë të veçantë referuar kontekstit politik në të cilin jemi. Beteja politike në autokraci elektorale nuk ta fal me kollaj luksin e një hapësire për intelektualët, për promovimin e tyre, për zhvillimin e betejës intelektuale. Ardhur kjo qasje nga Vlora, duket jo më pak se déjà vu e nuhatjes së rrallë që ky qytet ka patur për t‘i prirë çlirimit të mendimit, pavarësisë së të menduarit dhe vepruarit për vendin tënd. E tillë qasje është imponim i vizionit se pa një brez intelektualësh, vota dhe mbështetja popullore nuk përkthehet dot kurrë në një qeverisje të denjë.
Së dyti, regjimet autokratike mbijetojnë falë pushtimit të mendjes dhe pengmarrjes së saj nga injoranca. Një mendje e lexuar, një brez i lexuar, një shoqëri dashamirëse ndaj dijes e ka më të lehtë të shohë me qartësi përtej propagandës dhe metodave të manipulimit masiv të saj. Për rrjedhojë, i pari kusht për fitoren e një beteje me autokracinë, është fitorja e betejës intelektuale. Një drejtues politik e ka për detyrë kthjellimin e militantëve, anëtarëve, simpatizantëve dhe mbështetësve me të tillë mendësi të politikëbërjes.
Ndalim për pak kujtesën tek helmi shoqëror që ka kapluar kohët që po jetojmë, ai i pragmatizmit të paskrupullt, sipas të cilit metodat alternative ku e ku larg me dijen, me librin, sigurojnë mbështetje dhe progres në qëllim e karrierë. Ne kemi zgjedhur angazhimin politik në një kohë kur “e thjeshta” kamuflon injorancën, kur rrjeti social është parajsa e të pamjaftueshmëve, kohë kur politika perceptohet si shërbim ndaj cilitdo që ka sado pak në dorë fatin tënd, kohë kur edhe shkollimi në perëndim zhgënjen për një mendësi ndryshe. Në të tillë perceptim masiv, drejtuesi politik i Vlorës zgjodhi në këtë fushatë të përçojë tek brezi i ri, i mesëm e më tej – në funksion të filozofisë induktive që shpreha më sipër, edhe tek brezi i tij i politikanëve në rrethe – një mesazh të fortë: “Kujtdo që kurdoherë zgjedh të angazhohet në politikë, i duhet mësuar se rruga në politikë kalon vetëm nga libri”. Nuk ka mjet të shpejtë a rrugicë të shkurtër që përgatit një brez politikanësh në lartësinë e kombit tonë. Edhe kur një shoqëri përçartet, edhe kur sistemi politik ushtron presion të fortë për të devijuar nga vija intelektuale, drejtuesi politik i një beteje elektorale duhet të zhvillojë së pari betejën intelektuale.
Kjo e përforcon bindjen se ndërthurja e politikës si qëllim me dijen dhe librin si mjet, duhet të shumëfishohet në qytete të tjera të Shqipërisë, duke iu dorëzuar edhe njëherë fletëve të historisë së shtetit shqiptar që dëshmojnë se sa burrështetas të suksesshëm gjurmët e të cilëve janë ndër të vetmet krenari të sotme, ishin të tillë së pari si intelektualë.
Ka mbetur ndoshta një tjetër dimension njerëzor që ushqehet nga triumfi i betejës intelektuale, ai shpirtëror. Tek “Republika”, Platoni thotë se edukimi mban larg njeriun (drejtuesin e qytetit) nga ligësia, madje edukimi thotë ai, mund të shndërrojë armiqësinë e karakterit në guxim. Për çfarë ka nevojë më shumë politika shqiptare dhe forca e fortë opozitare që patëm ushtruar kaq vite? Për guxim. Për çfarë ka patur nevojë më së shumti shteti shqiptar? Për drejtues të mirë.
Që edukimi, libri, dija dhe intelekti të përkrahen në lëmshin agresiv të politikës shqiptare, aq më shumë në një betejë ekzistenciale me autokracinë, është fitore në vetvete. Jam krenar që shembulli i parë i kësaj fitoreje vjen nga Vlora.
Drejtuesi politik i demokratëve e fitoi betejën e parë në këtë luftë të zgjatur politike, betejën intelektuale, e bashkë me të fitoi gjithësecili prej nesh që politikën e ka thirrje të brendshme, brezi im përfshirë! Më jep vetëbesim kur kuptoj se edhe terreni shqiptar ka vend për mendësi vizionare.