Qindra profile nga Vietnami dhe vende të tjera të Azisë u angazhuan live në faqen e tij në Facebook, gjatë transmetimit të intervistës së kryeministrit Edi Rama në emisionin “Opinion”, duke bërë komente automatike dhe reagime që shprehin zemërim.
Qindra komentues, në dukje nga Vietnami u angazhuan të ndiqnin live intervistën e kryeministrit Edi Rama dhe stafit të tij të premten në “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, ndërsa komentuan thuajse në mënyrë automatike mesazhe në dukje në favor të “Lëvizjes Bashkë”.
“Nëse doni ndryshim dhe jeni me të majtën e vërtetë, votoni numrin 2, Arlind Qori”, shkroi Ngô Thương, nga Vietnami. Mesazh që u replikua nga dhjetëra profile të ngjashme. Në faqen e Ramës u shënuan edhe mbi 1 mijë reagime që shprehnin zemërim, po ashtu nga profile prej Vietnamit apo vendeve të tjerë të Azisë.
Megjithatë Lëvizja Bashkë mohoi kategorikisht të ishte e lidhur me sulmin dhe e cilësoi një përpjekje të kundërshtarëve për ta përbaltur atë. “Ne nuk bëjmë gjëra të tilla, aq më pak të paguajmë profile të rreme. Aktivistët tanë komentojnë vetëm me profilet e tyre. Me sa duket kjo është një orvatje e kundërshtarëve tanë për të na përbaltur”, i tha BIRN Arlind Qori.