Partia Socialiste nën udhëheqjen e Edi Ramës merr mandatin e katërt me një triumf, duke korrur plot 83 mandate me 53.8% të votave. Këto janë rezultatet e deritanishme, kur janë numëruar 99% e qendrave të votimit për votën brenda territorit shqiptar (5159 nga 5225 kuti), ndërkohë që vota e diasporës po numërohet paralelisht dhe pritet të jetë përcaktuese në numrin e mandateve edhe në disa qarqe.
Rezultatet tregojnë se PS ka marrë deri më tani 727 592 vota në rang kombëtar, ndërkohë që Partia Demokratike dhe aleatët e saj janë në rënie drastike në të gjithë vendin. Madje, PS ka pësuar rritje edhe në bastionet e djathta, ndërsa rezultatin në Dibër e përmbysi në favor të saj.
Ndërsa numërimi brenda vendit është drejt fundit, PD i zbresin 2 mandate. Një ia merr PS-ja në Vlorë, pas votës së diasporës, dhe një ia merr Shehaj në Tiranë, i cili shkon në 2 mandate.