Kryeminsitri Edi Rama po mban fjalimin e fitores në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, tre ditë pas zgjedhjeve, në një fjalim në sheshin “Skënderbej”.
Rama mbërriti aty i shoqëruar nga familja, bashkëshortja Linda Rama dhe fëmijët, Zaho, Gregori dhe Rea.
Kreu i Partisë Socialiste, që arriti të sigurojë 83 mandate, falënderoi shqiptarët që e votuan, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, dhe që siç tha ai “zgjodhën yjet, dhe jo errësirën e gropës”.
“Jam shumë krenar për Rean dhe për Gregun që vazhdojnë të mos na shkaktojnë asnjë dhimbje koke, jetojnë jetën e tyre larg çdo marrëdhënie në konflikt interesi, duke duruar sidomos Rea agresione verbale nga më të neveritshmet
Uroj t’ju bëj krenar me punën time sot dhe ishallah në gjurmën e punës time nesër. Falënderimin më të veçantë e kam për të vetmen opozitë, Linda Ramën.
Mamanë e Zahos, nënën e Reas dhe shoqen besnike të Gregut. Linda i mban shtyllat e tavanit, shumë faleminderit grua. Falenderoj Zahon i cili na rri ngjitur si bateri me energji diellore”- u shpreh Edi Rama.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Ja ku u kthyem prapë këtu, nga dita kur u nisëm për të mbledhur çfarë mblodhëm me shumë punë e mund për katër vite me radhë në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve. Për 30 ditë shqiptarët dëgjuan, vlerësuan, shikuan dhe në 11 maj vendosën të na e besojnë ne Partisë Socialiste, mandatin e katërt. Dhe na besuan më shumë se asnjëherë më parë, përgjegjësinë më të madhe se asnjëherë më parë.
Ne mbollëm më shumë besim te Shqipëria, prandaj mblodhëm më shumë besim nga shqiptarët. Mblodhëm votat e një mbështetjeje referendare për një Shqipëri që do ta anëtarësojmë në Bashkimin Ervopian. Shqiptarët zgjodhën mes një Shqipërie gjithnjë e më të mirë, dhe një Shqipërie të përgojuar. Mes dritës dhe yjeve të Europës dhe errësirës së gropës, Shqipëria zgjodhi yjet. Faleminderit Shqipëri. Një falënderim i veçantë për shqiptarët e Greqisë, Italisë, e kudo qofshin. Shumë faleminderit ga zemra, një përqafim të gjithëve nga sheshi i Gjergj Kastriotit. Edhe pse numërimi vazhdon, është e qartë që shumica jashtë Shqipërisë, mendon njësoj si shumica brenda Shqipërisë, për Shqipërinë 2030. Kjo do të thotë shumë për mua, shumë për të gjithë.
S’di sesi ti falënderoj të gjithë sa dhe si duhet. Faleminderit, faleminderit, faleminderit.