Pas muajsh hetimesh, autoritetet franceze në bashkëpunim me Policinë Federale Gjyqësore të Belgjikës kanë goditur një grup kriminal shqiptar, të përfshirë në një sërë vjedhjesh në autostradat e Francës së Veriut.
Grupi, i përbërë nga gjashtë persona dhe me bazë në Belgjikë, akuzohet për të paktën shtatë vjedhje mallrash, me një dëm total që kap vlerën e mbi 2 milionë eurove.
Një nga vjedhjet ndodhi në një zonë pushimi në autostradën A26, ku u thye një kontejner i ngarkuar me kuti uiski. Mallrat u transferuan në një kamion tjetër, por ndërhyrja e menjëhershme e policisë bëri që disa prej autorëve të arratiseshin në këmbë përmes fushave, duke braktisur automjetin me pjesën e plaçkës.
Automjeti i rëndë i mallrave u sekuestrua, ndërsa hetimet çuan në identifikimin e një grupi shqiptar të strukturuar dhe të njohur më parë nga autoritetet si në Belgjikë ashtu edhe në Shqipëri për krime të rënda.
Grupi është cilësuar si një “Grup i Lëvizshëm i Krimit të Organizuar Shqiptar”, aktiv veçanërisht në vjedhje të mallrave në rrugë ndërkombëtare. Hetimet vazhdojnë për të kapur të gjithë anëtarët e përfshirë.