Kristiano Ronaldo Jr, djali i ikonës së futbollit botëror, është vetëm në hapat e tij të parë në këtë sport, pro ka zgjuar një interes të jashtëzakonshëm rreth tij. Ai aktualisht është pjesë e akademisë së Al Nasr në Arabinë Saudite, por klubet e njohura kanë dërguar skautë për ta ndjekur në ndeshjet që po luan me kombëtaren U15 të Portugalisë në një turne në Kroaci.
Sipas “The Sun”, tribunat e stadiumit ku ai ka luajtur ndeshjen e parë me Portugalinë U15, ishin të mbushura me skautë të klubeve shumë të njohura që kishin shkuar ta shihnin. Bajern, Borusia Dortmund, Lajpcig dhe Hofenhajm nga Gjermania si dhe Salcburg nga Austria ishin ndër skuadrat që kishin dërguar përfaqësues të tyre.
Mançester Junajtid dhe Totenhem kishin përfaqësues gjithashtu, ashtu si edhe Inter, Juventus apo Atalanta, të cilat monitorojnë vazhdimisht djaloshin. Bëhet e ditur se të paktën 16 klube kishin skautë në tribunën e stadiumit me objektivin e vetëm për të ndjekur në veprim djalin e Kristiano Ronaldos.