Sali Berisha ka refuzuar kategorikisht të zbatojë Statutin e Partisë Demokratike, i cili e shkarkon atë automatikisht pas humbjes së zgjedhjeve, me anë të “nenit Basha”, të cilin vetë Berisha e ka futur në Statut.
Berisha deklaroi se në Shqipëri nuk pati zgjedhje, por “farsë” elektorale, ndërkohë që gazetarët i kujtuan në emisionin Log, se ai nuk i ka pranuar kurrë zgjedhjet kur ka humbur, duke i kontestuar dhe shpallur të “vjedhura”.
Erl Murati: Nuk mbaj mend një rast kur ju të keni pranuar zgjedhjet, kur nuk i keni organizuar vetë ato. Konferencën tuaj pas zgjedhjeve e quaj identike me atë të viteve 2000, 2003 dhe me rradhë. A ndjeni përgjegjeësi, si drejtues i një force të madhe që nuk keni krijuar një standard në këto zgjedhje? Jeni provuar disa herë.
Sali Berisha: Nëse Berisha ka një kontribut të panjohur, që tejkalon me mijëra herë fuqinë e një njeriu, është beteja e tij për vlerën e votës. Kur u bënë zgjedhjet e 2001, më morën logon, i bënë të gjitha, më akuzuan për krime kundër njerëzimit, nisa betejë pa mbështetje. Raporti paraprak thoshte se zgjedhjet ishin të lira. Unë nisa betejë dhe i bëra shërbim të madh vendit tim.
Ai shërbim penalizoi në të gjithë institucionet ndërkombëtare, dhunimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Parlamenti Europian miratoi rezolutë ku thuhej se në Parlamnentin shqiptar nuk përfaqësohet vullneti i shqiptarëve.
KE dhe një njeri që kur i kam shkuar për herë të parë nuk nguroi të më thotë, kemi të dhëna të tjera, nuk kemi këto të dhëna për zgjedhjet. I thashë nëse nuk provohen këto që them unë, këto materiale hidhi në kosh.
Erl Murati: Ju në 2005 i fituat zgjedhjet, pra zgjedhjet fitohen.
Sali Berisha: Nuk hapeshin negociatat sepse këtu nuk bëheshin zgjedhje. Unë kam mbrojtur votën. Fatos Nano ishte kryeministër që vendosi të pranojë verdiktin në 2005 dhe e faktoi. Kusht më themelor se një kryeministër që të pranojë verdiktin nuk ka. Edi Rama tha se ikën kur do ai dhe jo kur të dojë populli.
Endri Xhafo: I referoheni 2001 dhe pastaj në 2005 fituat. Por në situatën aktuale, thoni se keni shpresë të fitoni në 2029 dhe prandaj do të rrini?
Sali Berisha: Po mbroj votën, vlerë themelore të shoqërisë.
Endri Xhafo: Keni patur rënie me 250 mijë vota nga 2021. Në 2025 kishit logon e partisë, një nga strategët më të mëdhenj LaCivita, një nga këshilltarët e afërt të Trump, kishit Trump dhe jo Anthony Blinken dhe Yuri Kim. Amerika nuk i ka njohur zgjedhjet, ju shpresoni te Amerika? A do të udhëtoni atje?
Sali Berisha: Procesi i mbrojtjes së votës është rrugë e përcaktuar. Ne bëjmë raportin tonë, ua çojmë atyre, kancelarive në të gjithë botën. Ky është një proces që e kam bërë njëherë dhe kërkon të paraqesësh dokumentat në Ministrinë e Jashtme, në ambasadat e institucioneve ndërkombëtare, të vendeve pranë institucioneve ndërkombëtare, në Parlamente.