Një ngjarje e pabesueshme ka ndodhur pak ditë më parë në Angli, ku është zbuluar se futbollisti Sam Hatçinson, ka kaluar një infrakt në fushë por ka vazhduar rregullisht lojën dhe më pas ka shënuar golin e fitores për skuadrën e tij.
Mbrojtësi i Uimbëlldonit luante kundër Grimsbi në kategorinë e katërt angleze, kur që në minutën e 6 të ndeshjes ai ndjeu probleme me dhimbje në gjoks.
Por duke mos qenë i ndërgjegjshëm se çfarë po i ndodhte, futbollisti vazhdoi lojën dhe në mënyrë të pabesueshme, shënoi golin e vetëm të ndeshjes, me fitoren 1-0 që i shkoi skuadrës së tij, duke e kualifikuar në play-off për ngjitjen një kategori më lart.
“Çmenduri! Padyshim asokohe ndjeja shumë dhimbje. Gruaja më tha “nuk dukeshe mirë në intervistën pas ndeshjes” dhe unë më pas u ktheva në autobus me ekipin dhe kisha gjithnjë e më shumë dhimbje gjoksi.
Adrenalina e ndeshjes kaloi dhe na u desh të ktheheshim në Notingem. Doktori me çoi në spital dhe ata thanë që praktikisht kisha kaluar një atak kardiak”, tha 35-vjeçari Hatçinson, i cili ka marrë lajmin e mirë nga mjekët se mund të vazhdojë të luajë.