HomeEkonomiGuvernatori Sejko pret ambasadoren e Hungarisë në Shqipëri, Martina Kasnyik

Guvernatori Sejko pret ambasadoren e Hungarisë në Shqipëri, Martina Kasnyik

spot_img

Në datën 22 maj 2025, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, priti në një takim kortezie Ambasadoren e re të Hungarisë në Shqipëri, Sh.S.Zj. Martina Kasnyik.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira historike midis dy vendeve, duke u ndalur gjithashtu në bashkëpunimet mjaft të frytshme dypalëshe.

Më tej, Guvernatori Sejko e njohu Shkëlqesinë e Saj me zhvillimet ekonomike të vendit. Ekonomia shqiptare qëndron në një trend pozitiv zhvillimi dhe sipas parashikimeve do të vijojë të rritet me ritme solide. Fokusi i politikave ekonomike gjatë kësaj periudhe ka qenë i orientuar drejt ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, duke përshtatur qëndrimin e politikës monetare, si një parakusht për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit tonë.

Lidhur me shëndetin financiar të sektorit bankar, Guvernatori u shpreh se bankat mbeten të mirëkapitalizuara, likuide dhe fitimprurëse, me një nivel të ulët të kredive me probleme. Ai nënvizoi se performanca financiare dhe zgjerimi i kreditimit dëshmojnë për besimin në sistemin financiar dhe në aftësinë e tij për të mbështetur rritjen ekonomike të qëndrueshme.

Guvernatori veçoi se sistemi bankar dhe investimet hungareze në këtë sektor kanë kontribuuar gjithashtu në mbështetjen e iniciativave të Bankës së Shqipërisë dhe të rritjes ekonomike të vendit, duke shërbyer njëkohësisht si një ”urë” për investimet dhe eksperiencat bashkëkohore evropiane.

Në vijim, Guvernatori Sejko u ndal edhe tek procesi mjaft i rëndësishëm i anëtarësimit evropian të Shqipërisë. Në këtë kontekst, z. Sejko theksoi se mbështetja e një vendi anëtar në Bashkimin Evropian, si Hungaria, mbetet e një rëndësie të veçantë për integrimin e plotë të Shqipërisë në BE.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm lidhet me anëtarësimin në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA). Banka e Shqipërisë mbështeti dorëzimin me sukses të aplikimeve të bankave tregtare pranë Këshillit Evropian të Pagesave (EPC) për anëtarësimin e tyre në SEPA, duke vepruar si Qendër Kombëtare për Mbështetjen në Procesin e Aderimit.

Shkëlqesia e Saj Ambasadorja Kasnyik vlerësoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të përballimit me sukses të sfidave dhe garantimit të stabilitetit financiar në vend. Gjithashtu, ajo u ndal në progresin që Shqipëria ka bërë në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe shprehu mbështetjen e plotë të Hungarisë në këtë proces.

Gjithashtu Ambasadorja u shpreh se vazhdimi i reformave është një element mjaft i rëndësishëm, frytet e të cilave do të ndikojnë pozitivisht në krijimin e një ambienti edhe më atraktiv për investitorët e huaj. Ajo shtoi se investitorë hungarezë kanë shfaqur interes për të investuar në sektorë të ndryshëm në Shqipëri.

Në përfundim, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim mbi perspektivat për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve dhe kryesisht në fushën e sistemit financiar, si dhe në rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular