HomeOP EDPër telenovelën e 20 dështimeve në Kuvendin e Kosovës

Për telenovelën e 20 dështimeve në Kuvendin e Kosovës

spot_img

Nga Arben Çejku
Kur kemi thënë që “Kosova është shembull pozitiv për zgjedhjet”, kemi harruar të theksojmë se në fakt është populli i Kosovës ai që bën “zgjedhje shembullore”, sepse klasa e tij politike, shpeshherë këto zgjedhje i ka hedhur në kosh me lojërat “konstituive” për parlamentin, për qeverinë etj. Kriza e tanishme politiko – institucionale e pamundësisë për zgjedhjen e një drejtuesi të Kuvendit, nuk vjen si rrufe në qiell të hapur. Precedentët negativë nuk mungojnë…

Më 8 qershor 2014, Kosova zhvilloi zgjedhjet parlamentare, të lavdëruara për “standartet e mira demokratike”, por prej atëherë e deri në Tetor 2014, nuk pati konstituim të Kuvendit dhe rrjedhimisht, as zgjedhje të kryetarit të tij dhe qeverisë së re. Partitë e opozitës (VLAN – Vetvendosje, LDK, Aleanca dhe Nisma) më në fund, krijuan shumicën me 62 deputetë dhe institucionet morën frymë. Në atë kohë, lideri i VV, zoti Kurti, duke akuzuar partinë fituese, PDK për vonesën e procesit të konsituimit të Kuvendit, deklaronte: Në mandatin e kaluar, qeveria vazhdimisht e ka luftuar Kuvendin e konstituar; tash ajo po do që ta vonojë konstituimin e Kuvendit. Te shteti i kapur, Kuvendi është i panevojshëm dhe ai prish punë. Në shtetin e kapur, ka qeveri pa kuvend, ka pushtet pa shtet. Prandaj, konstituimi i Kuvendit të Kosovës është vështirësuar”.

Pas 20 seancave të dështimit për zgjedhjen e kreut të Kuvendit, Kosova, si thonë në Prishtinë po bëhet “horë” në sytë e botës, duke dëshmuar amatorizëm politik, mungesë vizioni për tejkalimin e krizës dhe mbi të gjitha, mungesë vullneti për të punuar për shtetin, më shumë se sa për pushtetin!

Lufta për të ndërtuar shtetin e Kosovës është një nga historitë më frymëzuese të Europës dhe mjafton të lexohet “Republika e Parë”, e autorit Mero Baze, për të rikujtuar sesi shqiptarët e Kosovës brenda e jashtë saj, me një idealizëm iluminist, ndanë kafshatën e bukës për “shtetin paralel”, kurse sot, një paralele politike, po tallet me shtetin e pavarur dhe institucionet e tij!

Shumica e atyre që kanë në dorë tejkalimin e krizës dhe gjetjen e një zgjidhjeje të fisme, e dinë se loja që po bëjnë e dëmton Kosovën si brenda ashtu edhe jashtë saj, prandaj është e kotë t’u tregohet kjo gjë nga ne, që nuk kemi asnjë konflikt interesi në grupimet e caktuara politike atje. Por një gjë, edhe mund t’ua themi; historia e Kosovës do t’i dënojë të gjithë ata që luajn me fatin e saj dhe të gjithë ata që për hir të pushtetit të tyre personal, dobësojnë shtetin më të ri dhe më të varfër të Europës. Kësaj nuk po I shtoj përfytyrimin se si ndjehen qindra e mijëra familje dëshmorësh, bijtë e të cilëve dhanë jetën për një shtet të lirë e demokratik, tek shohin tallavanë e njohur politike të aritmetikës zgjedhore.

Cilido qoftë ky Kuvend, ky kryetar apo kryetare Kuvendi që një ditë do të zgjidhet, nuk do të jetë as i pari dhe as i fundit, sepse Kosova do të bëjë zgjedhje përsëri e përsëri dhe asnjë kryetar a qeveritar, sado popullor qoftë, nuk do të qëndrojë përjetësisht në majë të pushtetit! Prandaj, për hir të Kosovës, për hir të së ardhmes së saj dhe në respekt të sakrificave të së shkuarës, bëhuni bashkë dhe zgjidheni një drejtues Kuvendi dhe mos e mbani syrin tek zgjedhjet e parakohshme e as tek zgjedhjet lokale. Përbetimet për shtrirje dhe ruajtje sovraniteti kushtetues në veri të Kosovës, janë fjalë boshe, tek shohim sesi me veprimet dhe mosveprimet tuaja, po gërryeni mu në zemër sovranitetin dhe integritetin shtetëror të Kosovës aty në mes të Prishtinës! Nga kjo humbje, nuk ka asnjë të fituar, përveç atyre që luftojnë çdo ditë kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës si shtet demokratike e funksional.

Tallja me votën e popullit, me besimin që ju ka dhënë të gjithë ju partive politike të Kosovës, nuk e nderon askënd e, sidomos atë që ka shumicën, prandaj, ideja se përmes një krize më të madhe tejkalohet dhe harrohet kjo kriza e sotme, është ide e gabuar. Ju mund të shkoni në zgjedhje të parakohshme në korrik, në gusht, në shtator apo kur të doni, por mos harroni se devalvimi i votës së shkurtit 2025, nuk kalon pa pasoja dhe çdo premtim, do të konsiderohet një mashtrim i ri.

Kriza të tilla politike dhe instituconale nuk kalohen vetëm si pasojë e interpretimeve kushtetuese, por para së gjithash me vullnet politik dhe lidership të atyre që ndjehen burrshtetas dhe jo thjeshtë lider të fortë partie!

Me mosveprimin e saj, opozita po i jep luksin Kryeministrit Kurti që të vazhdojë qeverisjen pa mandat si “kryeministër kujdestar” dhe vetë ky i fundit, po fiton kohë që gjithë krizën e kuvendit ta përdorë si kryefjalë të akuzave kundër opozitës në fushatën e zgjedhjeve lokale.

Duket se të gjithë po mendoni ta përcillni në “pushime verore” këtë krizë të rëndë institucinale, por dikush duhet ta ndalojë sot dhe të dalë mbi palët!

Presidentja Vjosa Osmani, pas këtij kalvari dështimesh të programuara për konsitutimin e Kuvendit, duhet të reagojë dhe të jetë më proaktive me Gjykatën Kushtetuese dhe mekanizma të tjerë politiko – juridik. Bazuar në nenin 84, pika 2, të Kushtetutës së Kosovës, Presidenti “garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë”. Pyetja që bëhet tani është, a po garanton Presidentja këtë funksionim? Për të marrë një përgjigje të saktë, ajo mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet t’i tregojë asaj se si mund ta garantojë funksionimin në kushtet kur partitë politike luajnë kukafshehtas në oborrin e Kuvendit, por nuk e bëjnë atë funksional. Pika 9 e Nenit 84, thotë se Presidenti “mund të referojë çështje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese”. Pra, zonja Osmani, pavarësisht kalkulimeve të parakohshme politike për rizgjedhjen ose jo të vetë asaj në postin që mban, duhet të vihet në lëvizje, sepse në fund të fundit, ajo është kreu i shtetit, ndërsa deputetët e sapozgjedhur me mandate në dorë, nuk kanë asnjë përgjegjësi kushtetuese për lojën që thirren të bëjnë çdo 48 orë. A. Çejku

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular