Policia greke ka arrestuar 23 persona që ishin pjesë e një rrjeti të madh që merrej me trafikimin e njerëzve. Ky grup sillte klandestinë nga Shqipëria drejt Greqisë, duke i kaluar përmes tokës dhe detit. Në një nga anijet që përdornin, ata kishin ndërtuar një kabinë të fshehtë ku fshiheshin njerëzit.
Operacioni i policisë, i quajtur “Kerveros”, çoi në sekuestrimin e 3,700 pasaportave dhe kartave të identitetit të falsifikuara nga vende të ndryshme, si dhe 50 mijë euro para në dorë. Po ashtu, u zbuluan të paktën katër vende ku përgatiteshin dokumente false, kryesisht shqiptare dhe greke.
Sipas mediave greke, edhe drejtuesi i këtij grupi është arrestuar. Ai kishte ngritur një laborator për falsifikime në një apartament në lagjen e punëtorëve në Peristeri, Athinë.
Në kontrollet që u bënë në apartamente, policia gjeti çanta plot me pasaporta të falsifikuara, sirtarë me pulla zyrtare dhe zarfe me para. Mendohet se grupi është përfshirë në më shumë se 500 raste të trafikut të njerëzve, duke fituar të paktën 4 milionë euro.