Artan Lame, ish-drejtori i Kadastrës dhe një nga figurat më të angazhuara në jetën publike shqiptare, do të përcillet në banesën e fundit ditën e martë, më 27 maj. Familja e tij ka bërë të ditur se pritjet për nder të tij do të zhvillohen një ditë më parë, të hënën më 26 maj, nga ora 10:00 deri në 20:00 pranë agjencisë funerale “Alba 2000” në Rrugën e Durrësit, në Tiranë.
Të martën, ceremonia e homazheve do të mbahet në Akademinë e Shkencave, në sallën “Libri Enciklopedik”, duke nisur nga ora 10:00, ku të afërm, miq dhe kolegë do të kenë mundësinë t’i japin lamtumirën e fundit. Në orën 12:00, arkivoli do të përcillet për në varrezat e Sharrës, ku do të bëhet edhe varrimi.
“Të dashur familjarë e miq, erdhi momenti i ndarjes përfundimtare me njeriun tonë të dashur, ARTAN LAME. Pritjet për nder të tij do të mbahen ditën e hënë, më 26 maj, nga ora 10:00 deri në 20:00, pranë agjencisë funerale “Alba 2000”, Rruga e Durrësit (ish-ambasada jugosllave).
Të martën, më 27 maj, do të zhvillohen homazhet në nderim të Tanit pranë Akademisë së Shkencave, salla “Libri Enciklopedik”, duke filluar nga ora 10:00. Në orën 12.00 do ta përcjellim ne banesën e fundit, në varrezat e Sharrës, Tiranë. Pas ceremonisë, pritjet do të vazhdojnë ditën e mërkurë dhe e enjte, nga ora 09:30 deri në 13:00 dhe nga ora 17:00 deri në 20:30. Pranë agjencisë funerale “Alba 2000”, Rruga e Durrësit (ish-ambasada jugosllave). Me respekt Familja”, njofton familja.
Artan Lame u nda nga jeta në moshën 58-vjeçare në një spital në Gjermani, pas një ndërhyrjeje të vështirë në zemër dhe një periudhe të rëndë shëndetësore. Ai do të kujtohet jo vetëm si drejtues i institucioneve të rëndësishme shtetërore, por edhe si publicist, studiues i historisë dhe mbrojtës i trashëgimisë kulturore.
I lindur në Tiranë në vitin 1967, me origjinë nga fshati Qytezë i Kolonjës, Artan Lame la gjurmë si pjesë e shoqërisë civile dhe si funksionar publik.