Një 38-vjeçar shqiptar ka humbur jetën teksa ishte duke u arratisur nga policia dhe u përplas me një shtyllë. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në Nettuno, afër Romës.
Sipas hetimeve të para, rreth orës 20:30 dy makina kaluan me shpejtësi të madhe para dy patrullave të policisë.
Agjentët nisën menjëherë ndjekjen e automjetit të parë, i cili u ndalua pak pas kësaj dhe kishte brenda një 26-vjeçar italian. Patrulla tjetër ndoqi makinën e dytë, një Fiat Cinquecento, e cila vazhdoi të ikte deri sa hyri në një rrugë të dëmtuar dhe pa asfalt.
Në këtë moment, një pluhur i madh u ngrit dhe patrulla ngadalësoi për shkak të dukshmërisë të dobët. Makina vazhdoi udhëtimin, dhe përfundoi duke u përplasur me një shtyllë telefoni dhe u rrotullua.
Nga automjeti, sipas hetimeve të autoriteteve, doli një çantë e madhe në të cilën u gjetën 23 paketa me gjithsej 25 kg kokainë. Policia iu afrua për të ofruar ndihmë, por për burrin nuk pati asnjë mundësi shpëtimi: ai kishte vdekur.
Trupi i tij u dërgua në Policlinico Tor Vergata; 26-vjeçari u arrestua për mbajtje me qëllim shpërndarje të substancave narkotike dhe masa e arrestimit është në pritje të konfirmimit.