Kandidatja e Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, Andia Ulliri, ka depozituar një ankesë zyrtare pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku pretendon mandatin e deputetit Arjan Ndoja, duke argumentuar se nuk është respektuar kuota gjinore në shpërndarjen e mandateve.
Sipas Ullirit, renditja aktuale e kandidatëve fitues në faqen zyrtare të KQZ-së nuk garanton përfaqësimin e duhur gjinor, duke cenuar kështu të drejtën kushtetuese për përfaqësim të barabartë.
Në ankesën e saj, Ulliri i referohet ndryshimeve ligjore të miratuara nga Kuvendi dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese Nr. 85, datë 24.12.2024, të cilat kërkojnë që një në tre fitues të jetë nga gjinia më pak e përfaqësuar në listën e kandidatëve.
Ajo thekson se lista duhet të trajtohet si një njësi unike, ku në shpërndarjen përfundimtare të mandateve duhet të respektohet ky parim, pavarësisht nga votat parapëlqyese.
Andia Ulliri argumenton se veprimi i KQZ-së për të shpallur të zgjedhur Arjan Ndojën, i cili është renditur i pari me vota parapëlqyese, shkel këtë parim dhe përbën një shkelje ligjore dhe kushtetuese.
Sipas saj, në rastet kur nga rirenditja nuk rezulton që çdo një në tre emra të përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar, atëherë kandidati i tretë dhe në vijim duhet të jetë nga kjo gjini, duke u bazuar në numrin e votave të marra.
Ulliri thekson gjithashtu se interpretimi aktual i KQZ-së nuk ka mbështetje ligjore dhe asnjë vendim të Komisionit Rregullator, duke kundërshtuar kështu mënyrën se si është aplikuar kuota gjinore në këtë rast.
Ajo nënvizon se si femra më e votuar në listën e hapur, ka të drejtë ligjore për të marrë mandatin që i mohohet, sipas këtyre kritereve.
Në përfundim, Ulliri kërkon nga KQZ të rivlerësojë shpërndarjen e mandateve në përputhje me ligjin dhe vendimet kushtetuese, duke respektuar parimin e kuotës gjinore dhe duke siguruar që lista e kandidatëve të trajtohet si një njësi unike në procesin e shpërndarjes së mandateve në qarkun e Durrësit.