Kandidati për deputet i koalicionit PD-ASHM, Aulon Kalaja, është paraqitur paraditen e sotme (27 maj) në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
Mësohet se Kalaja ka bërë kallëzim penal në SPAK për vendimin e qeverisë për faljen e gjobave pak ditë para zgjedhjeve.
Kalaja, i cili nuk arriti të merrte mandatin e deputetit në Qarkun Durrës, ka paralajmëruar më herët se do t’i drejtohej SPAK me një kallëzim, nëse KQZ do t’i refuzonte kërkesën për hapjen e kutive të votimit.
Sipas tij, SPAK duhet të marrë në dorë procesin e sekuestrimit të kutive të votimit, ndërsa pretendon se votat e tij janë vjedhur.
“Do t’i drejtohem edhe Prokurorisë për një kallëzim penal, në rast se KQZ-ja nuk pranon t’i hapë kutitë. Kështu që do të jetë vetë prokuroria që do të marrë procesin në dorë për të sekuestruar kutitë. Këtë e kam me konkurrentët brenda partisë”, ka deklaruar ai më herët në një emision televiziv.