Tre shqiptarë kanë rënë në pranga për vrasjen makabre të një notereje 69-vjeçare në Zakynthos në Greqi, në shkurt të këtij viti, teksa tentuan ta grabisnin në banesën e saj.
Të arrestuar janë baba e bir dhe një shok i tyre, të cilët i bënë prit noteres teksa ajo kthehej në shtëpi dhe iu futën me dhunë në banesë.
Çelësi për zbardhjen e ngjarjes, sipas burimeve hetimore, ishte arrestimi i njërit prej autorëve që jetonte në Nemea. Gjatë marrjes në pyetje, dhe pasi iu paraqitën provat, ai rrëfeu në detaje çfarë kishte ndodhur natën fatale.
Sipas dëshmisë së tij, ai kishte udhëtuar drejt Zakynthosit një ditë para vrasjes, pasi ishte në kontakt me një tjetër bashkëpunëtor që jetonte në ishull dhe që e dinte se viktima kishte para në shtëpi. Dy burrat qëndruan në një dhomë me qira që u sigurua nga personi që, sipas dëshmive, kreu aktin fatal.
“Veshëm kapuçë, maska dhe doreza, i bëmë pritë,” mësohet të ketë thënë burri nga Nemea.
Ai shton se, kur e panë gruan të kthehej në shtëpi, i sulmuan për t’i marrë çelësat dhe për të hyrë brenda. “Unë u përpoqa të hap derën, por pashë që ajo ishte rrëzuar dhe kishte gjak. I thashë ‘ikim’ dhe u larguam.”
Pas ngjarjes, dy nga autorët u larguan në këmbë për rreth një orë dhe më pas thirrën djalin e të parit për t’i marrë me makinë. Gjatë rrugës hodhën thikat dhe dogjën rrobat për të humbur gjurmët.
Për rreth dy muaj pas vrasjes, ata thuhet se nuk kontaktuan fare mes tyre, përveç disa telefonatave të rralla, në përpjekje për të shmangur lidhjen e tyre me ngjarjen.
Sipas informacioneve policore, të dy burrat, babai dhe miku i tij nga Nemea, punonin në ndërtim dhe vendosën të kryenin grabitjen, me në shënjestër noteren që banonte vetëm. Djali i autorit të dyshuar kryesor kishte rolin e shoferit.
Ai që goditi viktimën me thikë në pjesën e brendshme të kofshës së majtë, duke i shkaktuar një hemorragji të pakontrollueshme, besohet të jetë babai. Megjithatë, ai nuk e ka pranuar autorësinë e aktit, ndryshe nga bashkëpunëtorët e tij, përfshirë edhe të birin.
Viktima u gjet pa ndjenja mëngjesin e nesërm nga i biri, pranë shkallëve të hyrjes së shtëpisë, afër makinës së saj.
Ekspertiza mjeko-ligjore konfirmoi se vdekja kishte ardhur si pasojë e një plage të shkaktuar nga mjet i mprehtë dhe shpues, e cila shkaktoi gjakderdhje masive dhe vdekje të shpejtë.