Administrata Trump ka urdhëruar ambasadat amerikane në mbarë botën që të ndalojnë menjëherë caktimin e intervistave për viza për studentët e huaj, ndërsa përgatitet të zbatojë një kontroll gjithëpërfshirës të mediave sociale për të gjithë aplikantët ndërkombëtarë.
Një kabllogram i departamentit të shtetit të martën udhëzon seksionet konsullore të ndalojnë shtimin e “çdo kapaciteti shtesë për takime për vizë për studentë ose vizitorë shkëmbimi (F, M dhe J) derisa të lëshohen udhëzime të mëtejshme” brenda ditësh.
Direktiva, e raportuar fillimisht nga “Politico” dhe tani e konfirmuar nga “Guardian”, mund të vonojë ndjeshëm përpunimin e vizave dhe të dëmtojë universitetet, shumë prej të cilave Donald Trump i akuzon se kanë ideologji të majta ekstreme, që mbështeten shumë te studentët e huaj për të ardhura, raporton “The Guardian”.
“Departamenti po kryen një rishikim të operacioneve dhe proceseve ekzistuese për kontrollimin dhe verifikimin e aplikantëve për vizë për studentë dhe vizitorë shkëmbimi”, thuhet në kabllogram. Zyrtarët planifikojnë të lëshojnë udhëzime mbi “kontrollin e zgjeruar të mediave sociale për të gjithë aplikantët e tillë”.
Sipas NAFSA-s, në Shtetet e Bashkuara ka më shumë se një milion studentë të huaj, të cilët kontribuojnë me gati 43.8 miliardë dollarë në ekonominë amerikane dhe mbështesin më shumë se 378,000 vende pune në vitet 2023-2024. Ngrirja e vizave kërcënon të përkeqësojë sfidat ekzistuese me të cilat përballen institucionet e arsimit të lartë që tashmë po përjetojnë rënie të regjistrimeve ndërkombëtare.