HomeKronikePolicimi vullnetar/Qytetarët do të mund të angazhohen deri në 25 orë në...

Policimi vullnetar/Qytetarët do të mund të angazhohen deri në 25 orë në javë për sigurinë publike! Ja çfarë parashikon vendimi i qeverisë

spot_img

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim që përcakton rregullat e organizimit, funksionimit dhe fushën e veprimit të policimit vullnetar në Shqipëri.

Sipas vendimit, qytetarët e interesuar do të mund të angazhohen si policë vullnetarë, duke kontribuar në sigurinë publike në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e Policisë së Shtetit.

Policimi vullnetar synon të forcojë bashkëpunimin midis komunitetit dhe Policisë së Shtetit, duke përfshirë qytetarët në veprimtari të ndryshme që lidhen me rendin, sigurinë dhe ndihmën në raste emergjencash.

Çfarë është policimi vullnetar?

Polici vullnetar është një shtetas që, pa qenë pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit, kontribuon në mënyrë të pavarur dhe pa pagesë, deri në 25 orë në javë, në aktivitete që ndihmojnë policinë dhe komunitetin.

Angazhimi i tyre do të kryhet nën mbikëqyrjen e një punonjësi të policisë, dhe përfshin fusha të ndryshme si:

Ruajtja e rendit në aktivitete masive publike;

Menaxhimi i trafikut në shkolla apo zona të frekuentuara;

Patrullime dhe monitorime për parandalimin e krimit;

Mbështetje në shkolla për sigurinë e nxënësve;

Informim dhe ndërgjegjësim mbi mbrojtjen e mjedisit;

Ndihmë në operacione kërkim-shpëtimi apo emergjenca civile.

Kush mund të bëhet polic vullnetar?

Kandidatët duhet të jenë shtetas shqiptarë, të kenë përfunduar arsimin e mesëm dhe të mos kenë precedentë penalë. Gjithashtu, përjashtohen nga kjo mundësi gjyqtarë, prokurorë, përmbarues, drejtues të forcave politike, si dhe punonjës të shërbimeve të tjera të sigurisë.

Aplikimi bëhet pranë Drejtorisë Vendore të Policisë së qarkut të banimit, përmes një formulari standard dhe dokumenteve përkatëse. Kandidatët që përzgjidhen përfshihen në një listë të posaçme dhe njoftohen për hapat e mëtejshëm të përfshirjes.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular