Armiqësia mes Romës dhe Nikolo Zaniolos sa vjen dhe rritet. Futbollisti i talentuar, akuzohet se ka qenë protagonist i një ngjarje të dhunshme ndaj të rinjve të klubit verdhekuq pas gjysmëfinales së kampionatit të Primavera ndaj FIorentinës.
Gjatë paradites kishte akuza e kundërakuza për atë që ndodhi, pasi verdhekuqtë pretendonin se Zaniolo kishte goditur dy lojtarë të tyre, ndërsa futbollisti i cili i dha me golin e tij Ligën e Konferencës ekipit të Romës. se ishte provokuar nga lojtarët që e kishin pikasur në tribunë.
Në darkë, Roma ka dalë me një tjetër komunikatë për shtyp, për të sqaruar këndvështrimin e saj mbi ngjarjen e plotë.
“Pas një hetimi të thelluar mbi faktet, Roma lëshon deklaratën e mëposhtme të përditësuar. Në mbrëmjen e 26 majit, në fund të gjysmëfinales Primavera Fiorentina- Roma të luajtur në “Viola Park”, Nikolo Zaniolo (një lojtar nga skuadra e parë e Fiorentinës) hyri ilegalisht në zonën e zhveshjes së Romës, i shoqëruar nga një i njohur, pavarësisht se nuk kishte akreditim.
Sipas dëshmitarëve, Zaniolo dukej dukshëm në gjendje jo normale. Ai urinoi në ambientet e rezervuara për Romën, provokoi lojtarët dhe pa asnjë shkëmbim verbal, goditi fizikisht Matia Almavivën dhe e shtyu me dhunë Marko Litin pas një stoli. Liti sapo ishte kthyer nga një operacion në shpatull. Të dy lojtarët u shtruan në spital: Almaviva mori një prognozë 10-ditore, Liti 21 ditë.
Roma shpreh solidaritetin e plotë me lojtarët e saj të rinj dhe është thellësisht e indinjuar nga sjellja e dhunshme dhe e pajustifikueshme që ndodhi në “Viola Park”. Ne besojmë se institucionet kompetente do të veprojnë me vendosmëri për të garantuar drejtësinë dhe për të mbrojtur vlerat e futbollit italian”, shkruhej në komunikatën e verdhekuqve për futbollistin i cili vetëm pak vite më parë shihej si një nga ata lojtarë që mund të ktheheshin në “flamur” te kjo skuadër.