HomeAktualitet5 Muaj peng në Gjykatë/ Nëna e viktimës kërkon drejtësi, por shteti...

5 Muaj peng në Gjykatë/ Nëna e viktimës kërkon drejtësi, por shteti hesht

spot_img

Një nënë që ka humbur djalin e saj në mënyrë tragjike është sot viktimë për herë të dytë. Jo vetëm që nuk u mbrojt kur duhej, por sot ndjen se drejtësia i mbyll dyert. Për pesë muaj me radhë, një kërkesë për apelim është mbajtur “peng” në Gjykatën e Durrësit dhe nuk ka shkuar në Gjykatën e Apelit, ndonëse duhet të dërgohej brenda 30 ditëve.

Nëna e viktimës, N. Koka, ka kërkuar një autorizim gjyqësor për të shitur një pronë pas vdekjes së djalit, por çështja e saj nuk ka kaluar për shqyrtim në Apel. Zyrtarisht, Apeli deklaron se çështja nuk është regjistruar. Nga ana tjetër, në gjykatën e shkallës së parë në Durrës i thuhet se “është nisur”.

Avokatja Erjola Përlesi e cilëson këtë veprim si shpërdorim detyre, duke sqaruar se afati ligjor është 30 ditë, jo 5 muaj. “Nëse dosja është mbajtur qëllimisht, kjo përbën shkelje penale sipas nenit 248 të Kodit Penal”, thotë ajo.

Rasti është ndjekur nga emisioni investigativ “Vetting”, ku u vu re një mungesë totale transparence nga stafi i gjykatës. Kryesekretarja Greta, e cila dyshohet se nuk e ka dërguar dosjen, nuk u paraqit për të dhënë sqarime, ndonëse nëna kërkoi disa herë ta takonte.

Kjo nuk është hera e parë që ndodh një rast i tillë. Në vitin 2012, kancelari i Gjykatës së Elbasanit, Ardjan Zjarri, u dënua për mbajtjen peng të një dosjeje me 9 muaj burg për shpërdorim detyre.

Në rastin konkret, pas gjithë kësaj vonese dhe zvarritjeje, nëna e viktimës ndjehet e vetmuar dhe e tradhtuar nga një sistem që duhej ta mbronte. “Jetoj vetëm, djali më ka lënë të vetme, kam mbetur pa shtëpi e pa familje. Shkoj nga një zyrë në tjetrën, por askush nuk më jep një përgjigje”, tregon ajo për kamerat e emisionit “Vetting”.

Por çështja nuk ndalet vetëm te drejtësia. Tragjedia nisi për shkak të një personi me probleme të shëndetit mendor. Autori i krimit, një 35-vjeçar i diagnostikuar me skizofreni, ishte lënë i lirë pavarësisht historikut të tij të dhunshëm dhe trajtimeve të mëparshme në psikiatri. Kjo ngre pyetjen: Ku është shteti kur bëhet fjalë për sigurinë publike dhe trajtimin e të sëmurëve mendorë?

Statistikat tregojnë se në Shqipëri janë mbi 400 persona me probleme të shëndetit mendor që kanë kryer vepra penale. Mungesa e qendrave të trajtimit, numri i ulët i mjekëve dhe mungesa e kujdesit institucional i kthen këta persona në rrezik real për shoqërinë, kur nuk trajtohen siç duhet.

Raste tragjike kanë ndodhur në të gjithë vendin ndër vite: fëmijë të vrarë, gra të masakruara, kalimtarë të plagosur dhe të gjitha nga persona me çrregullime mendore që nuk kanë marrë trajtimin e nevojshëm.

Psikologia Enertila Bekteshi thotë se rastet e tilla kanë pasoja të rënda psikologjike dhe sociale. “Duhet ndërhyrje me shërbime falas, strehim dhe mbështetje ligjore për familjet e viktimave”, thotë ajo.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular