Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur hapjen e tenderit për krijimin e një modeli të integruar të zhvillimit në formën e një parku multifunksional me temën e 100 fshatrave: Ferma Didaktike Valias.
Fondi limit për këtë projekt përllogaritet në 499 milionë e 725 mijë lekë, ku parashikohet të kthehet në një qendër referemi për inovacionin në bujqësi, edukim dhe zhvillim rural.
Projekti “Ferma Didaktike Valias” do të sjellë një risi në zhvillimin e zonës e të fermave, por njëkohësisht do t’i shërbejë institucionit të arsimit të lartë, Universitetit Bujqësor të Tiranës, për të zhvilluar studentët praktikat mësimore në të.
Sipas dokumentit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, gjeografikisht zona e projektit përfshin të gjithë hapësirën midis rrugëve “Thethi”, “Suleve” “Kallareve” dhe “Willson”, pjesë të bashkisë Kamëz. Kjo hapësirë do të vihet në një funksion të një modeli të integrur, duke përfshirë dhe aspektin edukativ. Gjithashtu theksohet, se ky projekt është konform standarteve bashkëkohore.
Hapësira zë një sipërfaqe prej 15 ha. Kjo sipërfaqe është nën administrimin e Universitetit Bujqësor të Tiranës. Ferma e parë didaktike në vend do të shërbejë si Fermë Didaktike Eksperimentale për nevojat e UBT, ku do të përfshihen pedagogë, studentë, por do të zhvillohen edhe procese eksperimentale në këtë hapësirë moderne.







