Komplet e izoluar nga lajmet lidhur me Shqipërinë apo familjen, ikona e muzikës shqiptare ka jetuar nga koha e pandemisë deri në fund të vitit të shkuar në rrugët e New York, në SHBA. Në rrëfimin e saj ekskluziv për “Opinion”, ajo tregon se kjo gjë ishte plotësisht zgjedhja e saj.
“Jetoja më së shumti në Times Square. Ndonjëherë lëvizja lart e poshtë, kur ishte vapë vija tek lumi, natën pastaj shkoja prapë atje.”
Thotë se nuk kishte frikë dhe se e shpenzonte kohën në telefon.
“Dola në rrugë këto katër vjet sepse s’kishte njeri të gjallë në New York, ishte bosh.”
Interesant është fakti se gjatë kësaj kohe të vështirë, ka lexuar të gjithë librat fetarë.
“Çdo të premte në darkë duhet të shkoje të këndoje këngë për engjëjt, gjëja më e mrekullueshme që kam përjetuar ishte se burri me gruan nuk prekeshin, traditë e ortodoksëve hebrenj. Jetonin jetë të shenjtë. Sidomos gruaja nuk duhet të këndojë kurrë! Kisha për të ngrënë, për të pirë, s’më duheshin lekët. Çdo njeri hidhte para aty! Edhe sot e kësaj dite, mund të të tregoj qendrat për të studiuar, ngrënë, për punë. Falas! Vëllait i thashë nuk do u bëj dot telefon se do vazhdoj këto studimet”, tha Simaku.
“S’kam marrë kurrë asnjë aspirinë”, tregoi ajo, duke shtuar se shumë njerëz e kanë ndihmuar.