Pas dekadash kërkimesh për ‘planetin e nëntë’ një trup misterioz i padukshëm që supozohej se ndikon gravitacionalisht në trajektoren e objekteve përtej Neptunit, shkencëtarët duket se kanë zbuluar diçka tjetër: një planet të ri xhuxh, i pozicionuar në kufijtë e largët të sistemit tonë diellor.
Objekti i sapozbuluar, i quajtur 2017 OF201, ka një diametër prej rreth 700 kilometrash dhe, sipas astronomëve amerikanë që e kanë studiuar, përmbush kushtet për t’u klasifikuar si planet xhuxh, pavarësisht se është më i vogël se Plutoni.
Zbulimi u publikua në një studim paraprak javën e kaluar dhe ende pret rishikim shkencor.
“Është një objekt që na kujton se sa pak dimë për periferi të sistemit tonë diellor,” tha për agjencinë AFP autori kryesor i studimit, Shihao Cheng, nga Instituti për Studime të Avancuara në Neë Jersey.
2017 OF201 ndodhet tre herë më larg se Neptuni dhe ndjek një orbitë tepër eliptike, që e çon deri në renë e Oort – zona më e largët e njohur e sistemit tonë diellor.
Objekti ndjek një orbitë 25,000-vjeçare, dhe mund të vërehet nga Toka vetëm për rreth 100 vjet, ose 0.5% të kohës.
“Sa më shumë e studiojmë, aq më shumë kuptojmë se mund të ketë qindra trupa të tjerë të fshehur në rripin Kuiper, me orbita të ngjashme,” thekson Cheng.
Zbulimi nënvizon rëndësinë e teknologjisë së re, përfshirë teleskopët James Ëebb, Hubble dhe ALMA, të cilët studiuesit planifikojnë t’i përdorin për të mbledhur të dhëna më të detajuara.
Një nga aspektet më intriguese të këtij zbulimi është kontributi i një astronomi amator 23-vjeçar nga Kalifornia, Sam Dean, i cili kishte identifikuar lëvizjen e objektit në bazat e të dhënave ekzistuese.
“OF201 është, sipas mendimit tim, një nga zbulimet më emocionuese të dekadës në astronominë planetare,” u shpreh ai për AFP.
Për më shumë se 20 vjet, shkencëtarët kanë vëzhguar se shkëmbinjtë e akullt në rripin Kuiper ndjekin një trajektore të çuditshme dhe të përbashkët, çka ka çuar në teorinë se ekziston një “planet i nëntë” me masë dhjetë herë më të madhe se ajo e Tokës, por që ende nuk është zbuluar.
Por orbitat si ajo e 2017 OF201 mund të sfidojnë këtë teori.
Sipas Cheng, fakti që objekti nuk ndjek të njëjtin model orbitash me trupat e tjerë të rripit Kuiper mund të nënkuptojë se forcat që veprojnë në këto zona janë më të ndërlikuara sesa mendohej më parë – dhe ndoshta, nuk kërkojnë një “planet të nëntë” për t’u shpjeguar.
Këtë mendim e ndan edhe Samantha Laëler, studiuese në Universitetin e Reginës në Kanada, e cila vlerëson se zbulime të tilla po zbehin gjithnjë e më shumë hipotezën e një planeti të madh të fshehur në cep të sistemit diellor.
“Jetojmë në një epokë kur teleskopët mund të shohin pothuajse kufijtë e universit,” tha Cheng, “por ende dimë kaq pak për oborrin tonë, skajet e largëta të sistemit diellor.”
Ai dhe kolegët e tij shpresojnë që Observatori Vera Rubin, që pritet të nisë punën këtë vit në Kili, të ofrojë më shumë të dhëna për të zbuluar objekte të tjera të ngjashme, dhe ndoshta të zbulojë njëherë e mirë nëse “planeti i nëntë” është real apo thjesht një iluzion gravitacional.