Kush ka detyrime të ndryshme tatimore të pashlyera, krahas pasurive të tjera, rrezikojnë t’u bllokohen edhe automjetet.
Drejtoria e Tatimeve ka njoftuar se për këtë qëllim ka nënshkruar një marrëveshje me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, e cila i mundëson Administratës Tatimore kërkimin e të dhënave mbi mjetet e tatimpaguesve në kohë reale.
Sipas kësaj marrëveshje, të gjithë tatimpaguesit duhet të përmbushin në afat të gjitha detyrimet, pasi në të kundërt Administrata Tatimore do të vendosë masën e sigurimit mbi mjetin që ata disponojnë.
Po ashtu, përmes kësaj marrëveshje, Tatimet angazhohen që paralelisht të zbatojnë të gjitha procedurat e mbledhjes së detyrimeve me forcë.
Drejtoria e Tatimeve ju bën thirrje tatimpaguesve të përmbushin detyrimet tatimore në mënyrë vullnetare dhe të mos tjetërsojnë pasuritë e tyre për të shmangur këto detyrime. “Çdo subjekt që hyn në transaksione shit-blerje të mjeteve, duhet të sigurohet që mjetet objekt transaksioni nuk i përkasin tatimpaguesve debitorë. Çdo akt i nënshkruar në keqbesim ndërmjet palëve me qëllim shmangien e detyrimeve ndaj Administratës Tatimore do të sjellë pasoja ligjore për pavlefshmëri”.
Krahas kësaj marrëveshje, Drejtoria e Kontrollit të Specializuar pranë Administratës Tatimore ka nisur një aksion të gjerë verifikimi ndaj pronarëve të automjeteve luksoze, të cilët nuk justifikojnë blerjen e tyre.
Sipas të dhënave të siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, rezulton se rreth 400 automjete luksoze janë blerë gjatë viteve 2023-2024 nga persona që nuk figurojnë me të ardhura të deklaruara në sistemin tatimor.