Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të nisë kontrollin e specializuar për 400 mjete luksoze të blera gjatë vitit 2023-2024.
Sipas Tatimeve, këto mjete janë blerë nga persona të paregjistruar, gjë që krijon dyshime për burimin e tyre.
Nisma ishte paralajmëruar edhe më parë për personat që janë pronarë të paktën të një makine luksoze, krahas personave që me ligj janë subjekte të deklarimit të pasurive.
Tashmë, Tatimet do të bëjnë hetim pasuror ndaj të gjithë pronarëve të këtyre automjeteve për të verifikuar nëse justifikojnë me burime të ligjshme të ardhurat për blerjen e mjeteve luksoze.
Identifikimi i pronarëve do të kryhet në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Më herët edhe Ministria e Financave kishte deklaruar se ky proces verifikimi është pjesë e luftës kundër informalitetit, që do të pasohet në vitin 2026 me krijimin e një Regjistri të Pasurive të Luajtshme e të Paluajtshme të Tatimpaguesve, që do t’i shërbejë gjithashtu nismës për luftën kundër evazionit fiskal.
