Kapiteni i Kombëtares Shqiptare, Berat Gjimshiti, zhvilloi këtë të mërkurë një vizitë simbolike por domethënëse në komunën e Bujanocit, ku u prit nga kryetari Arbër Pajaziti.
Takimi u zhvillua vetëm pak ditë para ndeshjes së shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë, më 7 qershor në Tiranë, një përballje që tejkalon kuadrin sportiv.
Në një atmosferë të ngrohtë dhe vëllazërore, Pajaziti falënderoi Gjimshitin për përfaqësimin dinjitoz që i bën flamurit kuqezi në arenën ndërkombëtare.
“Je një frymëzim për të gjithë të rinjtë e Luginës së Preshevës. Qëndrueshmëria dhe karakteri yt në fushë dhe jashtë saj na bëjnë të gjithëve krenarë,” – u shpreh ai.
Mesazhi më i fortë i takimit erdhi nga vetë kryetari i komunës, i cili, duke reflektuar emocionet e komunitetit shqiptar në rajon, theksoi:
“Duhet ta mposhtësh Serbinë!” – një thirrje që u shoqërua me entuziazëm dhe duartrokitje nga të pranishmit.
Gjimshiti, si gjithmonë i përmbajtur dhe i përulur, u përgjigj me një buzëqeshje: “Me kismet.”
Pas një thirrjeje tjetër nga publiku, ai shtoi: “Do Zoti.”
Kjo vizitë në Bujanoc nuk ishte thjesht një ndalesë protokollare, por një sinjal i fortë solidariteti kombëtar, që konfirmon lidhjen shpirtërore mes shqiptarëve në Shqipëri dhe atyre në Luginë.
Sfida ndaj Serbisë, që vlen për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, po pritet me emocion në të gjitha trevat shqiptare. Kjo ndeshje është më shumë se 90 minuta futboll, është një përballje me peshë historike, emocionale dhe identitare, ku gjithçka do të thotë shumë për një popull të tërë.