Në pjesën e parë dhe të dytë të emisionit “Opinion” në Tv Klan, mbrëmjen e kësaj të enjteje, vjen historia e ikonës së muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku. Në një intervistë ekskluzive për gazetarin Blendi Fevziu, nga New York-u, në apartamentin ku ajo tashmë jeton, nën kujdesin e biznesmenit Elton Ilirjani, këngëtarja rrëfen jetën e saj, largimin nga Shqipëria dhe jetesën për shumë vite në qiell të hapur.
Mikpritëse, e qeshur dhe mjaft e lumtur, Parashqevi Simaku, këngëtarja aq shumë e dashur dhe njëkohësisht e munguar e popullit shqiptar, ndan detaje nga jeta e saj, që për shumë kohë kanë mbetur të fshehura ose të mjegullta.
Nga mënyra se si tregon e rrëfen ngjarjet, kuptohet që ka një kujtesë të fortë, ku mban mend personazhe të caktuar me emra e mbiemra, data dhe orë.
Megjithatë, për jetesën e saj në qiell të hapur, ku një gur u bë ulësja, krevati dhe jastëku i saj, këngëtarja tregohet shumë e rezervuar.
Është biznesmeni shqiptar Elton Ilirjani ai që, në një mënyrë më të drejtpërdrejtë, tregon më shumë për Parashqevi Simakun. Ilirjani ishte një ndër shqiptarët që ka qëndruar afër ikonës së muzikës shqiptare që në fillimet kur imazhi i saj u shfaq sërish. Ai qëndron pranë saj emocionalisht, por edhe financiarisht.
Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
Hera e parë në skenë e Parashqevi Simakut: Po dridhesha, vesha me gazeta këpucët…
Ikona e muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku, në një rrëfim ekskluziv për gazetarin Blendi Fevziu, i cili ka udhëtuar deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë intervistë.
Tejet e kuruar e plot energji, Parashqevi Simaku tregon për “Opinion” historinë e saj që nga hapat e parë në muzikë e deri te largimi jashtë vendit.
Herën e parë në skenë, mes emocionesh, e kujton kështu:
“Në fillim të dhjetorit 1981, më japin një duet me Hysni Zelën. Një javë para na vjen urdhri që nuk do bëhej festivali se Mehmet Shehu vrau veten. Ishte një dramë e madhe, se ne në Kavajë nuk ishim politikanë. Ne vetëm Allahun njohim, kështu jam rritur. Dola, për fat të keq ose për fat të mirë, unë duhet të dubloja Irma Libohovën. Edhe publiku ishte pak i zymtë, me frikë. E duartrokitën këngën e Krajkës, ai ishte gjithmonë modern. Dola e dyta unë, këndova dhe më kthyen dy herë të përshëndetesha.
S’më njihnin fare! Xhaxhi Xhemali, byrazer i babës tim, nusja e tij Antigoneja nga Gjirokastra. Ajo ishte martuar me një fustan me lule dhe më dha fustanin e saj. Këpucët, më kanë çuar te garderoba e Operës e Baletit dhe kam veshur me gazeta këpucët llustrafinë të Edit Mihalit. Po ecja aty para se të më dilte emri. Vjen Alida Hysku e më tha hë mi mos ki frikë se shumë mirë do dalësh. Unë po dridhesha, në atë kohë edhe Vaçe Zela dridhej, më tregonte Krajka. Irma e pyet Agim Krajkën, i thotë pse s’më the se ajo është këngëtare shumë mirë.”
Ishte dhjetor 2024, kur publiku shqiptar u trondit me mënyrën si Parashqevi Simaku “u rishfaq”. E pastrehë, që jetonte me ndihma vullnetare në rrugët e New York, ishte kjo gjendja e saj. Pavarësisht kësaj, e vetmja gjë që ajo nuk kishte humbur ishte mirësia në portret dhe buzëqeshja që e identifikon.
Pas disa peripecish, por edhe momenteve të shumëpritura për të, siç ishte takimi me djalin, ajo sot duket e qetë dhe në paqe me veten.
“Më dhanë pasaportën si Victoria Marini”, pse Parashqevi Simaku iku nga Shqipëria
Këngëtarja e madhe, Parashqevi Simaku, rrëfen për herë të parë arsyen pse u largua nga Shqipëria. Në një intervistë për “Opinion”, ajo tregon se fillimisht udhëtoi drejt Italisë, me një pasaportë të blerë.
“Nëna ime më tha, do shkoj të shoh vëllain tim në Itali, që ishte një nga këto refugjatët. Qante gjithmonë, aman tha se ti je shumë e njohur. Me mikeshën time shkova në ambasadë. Ai ambasadori italian më kishte parë gjithmonë në këto mbrëmjet që bënte partia për Krishtlindje dhe më mbante mend. I thashë të lutem…Po ti je Parashqevia, tha! Mos ki merak tha, se do e marr Dash Dervishin në telefon. Do bësh gati guest room, se isha edhe e varfër.
S’kisha asnjë lekë! Dhuratë e kisha, më sollën atë makinën diplomatike. Vjen një burrë e grua nga New York-u, dhe ata donin që të argëtoheshin, të hapnin muzikë në New York. Ishin nga Dibra e Maqedonisë, burrë e grua. Erdhën dhe më blenë një pasaportë. Ishte pasapotë e blerë, kalabreze. Victoria Marini! Unë flisja italisht, dukesha si italiane”, rrëfeu Simaku.
Në 9 mars 1992, mbërriti në New York të Shteteve të Bashkuara.
“U shokova kur erdha. Gjëja e parë thoja është pse është qielli kaq i lartë, në Shqipëri ato retë i kemi si kapele. Më dukej sikur kisha shkuar në një botë tjetër. Shqiptarët këtu më donin shumë.”
Thekson se në atë fitonte shumë me muzikën.
“Për ne ishte përrallë!”
Prej martesës, nuk “çau” dot në Hollywood? Rrëfehet Parashqevi Simaku
Vitet e para në Shtetet e Bashkuara, Parashqevi Simaku i kujton si tejet të bukura.
“Një mrekulli! Sikur ishte në parajsë.”
Në intervistë ekskluzive për gazetarin Blendi Fevziu, ikona e muzikës shqiptare, thotë se martesa me Robert Nofle e bëri të mos kishte më aq shumë interes për të “depërtuar” në Hollywood.
“S’kam lënë asnjë ditë pa provuar, u martova me Robertin shumë shpejt. Më iku ai interesi… Fillova të shkruaja këngë me Robertin. Në 1997-ën erdha në Shqipëri, këndova në festival.”
Për herë të fundit, në Shqipëri ka shkelur 21 vite më parë.
“Më ndërroi jetë babai, erdha me Robertin për ta përcjellë në 2004-ën. Babai im më thoshte, mos iu ndaj kismetit të parë. I thashë Robertit kërko dorën time për martesë tek babai im, që të martohemi. Ia kam premtuar babës e nanës i thashë, se jam vajzë e vetme. Babai im tha tani do vdes rehat, se qenka serioz…Se thoshte kam merak se mos të lë në rrugë. Jam martuar me adetet e Kavajës, ndërsa Roberti u ul në gjunjë, më dha unazën e diamantit”, tregoi këngëtarja e madhe.
“Kam lexuar të gjithë librat fetarë”, Parashqevi Simaku: Zgjodha të jetoj në rrugë
Komplet e izoluar nga lajmet lidhur me Shqipërinë apo familjen, ikona e muzikës shqiptare ka jetuar nga koha e pandemisë deri në fund të vitit të shkuar në rrugët e New York, në SHBA. Në rrëfimin e saj ekskluziv për “Opinion”, ajo tregon se kjo gjë ishte plotësisht zgjedhja e saj.
“Jetoja më së shumti në Times Square. Ndonjëherë lëvizja lart e poshtë, kur ishte vapë vija tek lumi, natën pastaj shkoja prapë atje.”
Thotë se nuk kishte frikë dhe se e shpenzonte kohën në telefon.
“Dola në rrugë këto katër vjet sepse s’kishte njeri të gjallë në New York, ishte bosh.”
nteresant është fakti se gjatë kësaj kohe të vështirë, ka lexuar të gjithë librat fetarë.
“Çdo të premte në darkë duhet të shkoje të këndoje këngë për engjëjt, gjëja më e mrekullueshme që kam përjetuar ishte se burri me gruan nuk prekeshin, traditë e ortodoksëve hebrenj. Jetonin jetë të shenjtë. Sidomos gruaja nuk duhet të këndojë kurrë! Kisha për të ngrënë, për të pirë, s’më duheshin lekët. Çdo njeri hidhte para aty! Edhe sot e kësaj dite, mund të të tregoj qendrat për të studiuar, ngrënë, për punë. Falas! Vëllait i thashë nuk do u bëj dot telefon se do vazhdoj këto studimet”, tha Simaku.
“S’kam marrë kurrë asnjë aspirinë”, tregoi ajo, duke shtuar se shumë njerëz e kanë ndihmuar.
Kur do të vijë në Shqipëri? Parashqevi Simaku e jep përgjigjen si kavajse
Një njeri mund të ikë nga Shqipëria, por vështirë që t’i nxjerrësh atdheun nga zemra. E këtë na e vërteton më së miri këngëtarja Parashqevi Simaku.
Ajo zhvilloi këtë të enjte një intervistë për emisionin “Opinion” ku rrëfeu për gazetarin dhe moderatorin Blendi Fevziu gjithçka që ka ndodhur me të gjithë këto vite.
Por tashmë lind një pyetje e rëndësishme: Kur do të vijë Parashqevi Simaku në Shqipëri? Përgjigjen e dha, siç u shpreh edhe gazetari Fevziu, si kavajse, qyteti ku ka lindur.
Blendi Fevziu: Do vish në Shqipëri?
Parashqevi Simaku: Kismet Zotit, ishalla!
Blendi Fevziu: Fiks si kavajse je përgjigjur.
Ishte dhjetor 2024, kur publiku shqiptar u trondit me mënyrën si Parashqevi Simaku “u rishfaq”. E pastrehë, që jetonte me ndihma vullnetare në rrugët e New York, ishte kjo gjendja e saj. Pavarësisht kësaj, e vetmja gjë që ajo nuk kishte humbur ishte mirësia në portret dhe buzëqeshja që e identifikon.
Pas disa peripecish, por edhe momenteve të shumëpritura për të, siç ishte takimi me djalin, ajo sot duket e qetë dhe në paqe me veten. Për emisionin “Opinion”, ajo u shpreh se gjithçka ndodhi me të, ishte zgjedhje e saj.
Parashqevi Simaku: S’kam rënë kurrë në dashuri, por më kanë dashur shumë…
Që shumë e kanë dashur, këtë mund ta themi me siguri, por ikona e muzikës shqiptare Parashqevi Simaku rrëfen për “Opinion” se “ajo nuk ka dashuruar asnjëherë në jetën e saj”.
-Si u ndjeve kur erdhe në Tiranë, kishte njerëz që të ngacmonin?
Parashqevi Simaku: Asnjëherë!
-Ke qenë komode në jetën tënde?
Parashqevi Simaku: Isha shumë e thjeshtë, asnjëherë nuk lyhesha, edhe kur shkova në shkollë. Vishesha shumë thjeshtë.
-Sa vjeç ishe kur re në dashuri?
Parashqevi Simaku: S’kam rënë kurrë në dashuri!
-Asnjëherë?! Në jetën tënde? As në gjimnaz, s’kishe ndonjë dashuri platonike?
Parashqevi Simaku: Jo! Kam pasur fatin që më kanë dashur…
/tvklan.al