Një alarm për bombë ka shkaktuar panik mbrëmjen e sotme në një hotel në rrugën “Abdi Toptani”, në qendër të Tiranës. Rreth orës 19:35, një punonjëse e stafit të hotelit ka telefonuar në Sallën Operative të Policisë, duke thënë se kishte marrë një njoftim për vendosjen e një sasie eksplozivi në parkimin e hotelit.
Menjëherë pas njoftimit, forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje. Zona është rrethuar dhe të gjithë personat që ndodheshin brenda hotelit janë evakuuar për arsye sigurie.
Në terren kanë mbërritur edhe forcat xheniere, të cilat po kryejnë kontrolle të imtësishme për të verifikuar nëse ka apo jo eksploziv.