Autoritetet në Kosovë bënë të ditur se dhjetë zyrtarë publikë janë ndaluar për 48 orë, nën dyshime se kishin marr ryshfet në këmbim të pajisjes me patentë shoferë të kandidatëve.
Policia e Kosovës tha se gjatë aksionit të kryer më 29 maj në rajonin e Prishtinës, Gjilanit dhe Gjakovës u arrestuan 11 persona. Më pas, një prej tyre u lirua në procedurë të rregullt.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më pas njoftoi se brenda afatit ligjor, prokurori i rastit do të kërkojë që ndaj të pandehurve të shqiptohet masa e paraburgimit.
“Personat e ndaluar janë zyrtarë publikë të cilët dyshohen se me qëllim që kandidatët të pajisen me patentë shofer kanë kërkuar para ryshfet, gjatë së cilës u kanë mundësuar atyre të pajisen me patentë shofer në mënyrë të kundërligjshme”, tha Prokuroria.
Ndërkaq, në njoftimin e Policisë u tha se gjatë aksionit janë kontrolluar dhjetë lokacione në rajonin e Prishtinës, Gjilanit dhe Gjakovës për këtë rast përfshirë shtëpi private, zyra rajonale të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe biznese me veprimtari të auto-shkollës, më 29 maj.
Sipas Policisë, rasti është hetuar për disa muaj dhe janë siguruar prova se të arrestuarit kanë kryer veprat penale: keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, pranim të ryshfetit në sektorin privat, ushtrim ndikimi dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Autoritetet njoftuan se gjatë kontrollit janë sekuestruar prova, përfshirë një pushkë AK47, dy revole, fishekë të kalibrave të ndryshme, para të gatshme (16.145 euro dhe 6660 franga zvicerane), telefona mobilë, kompjuterë, USB dhe dokumente të tjera të rëndësishme për rastin.
Edhe në të kaluar, autoritetet kishin arrestuar zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës për pajisjen e kandidatëve me patentë shoferë në këmbim të përfitimeve materiale./REL/