Kërcimin kokë më kokë me Kristiano Ronaldon në Portugali-Shqipëri dhe duelet me Lionel Mesin në miqësoren Argjentinë-Shqipëri, janë në arkivën e Endri Vrapit, ish-mbrojtësit i cili ka luajtur me ekipin kombëtar vite më parë.Vrapi nuk është nga ata persona që shfaqet shpesh në media, por analiza e tij është e menduar dhe diçka të tillë ka bërë në një intervistë për “Panorama Sport”. Ai flet për sezonin që mbyllëm në Superiore dhe Kombëtaren shqiptare në prag të ndeshjes me Serbinë. Ndër të tjera, Vrapi jep edhe titullarët e tij të preferuar për ndeshjen më të rëndësishme të Shqipërisë.
Vrapi, gjithmonë afër fubollit, si ju është dukur sezoni që u mbyll në Superiore, a ishin verdiktet të drejta, sipas jush?
Të jem realist, e kam ndjekur kampionatin. Besoj se parashikimet janë të sakta. Duke parë edhe boshtin e lojtarëve që kishin të gjitha ekipet, besoj se ishte më se i merituar fitimi i kampionatit nga Egnatia, por shpresoja që Vllaznia mund të bënte pak më shumë. Gjithsesi, katërshja që doli në “Final 4”, ishte e merituar dhe fituesja e Kupës që ishte Dinamo, është një ogur i mirë për një vazhdimësi që ndoshta vitin e ardhshëm do të jetë skuadra që ndoshta me gjithë Egnatian, do të jenë pretendentet kryesore për fitimin e titullit. Duke mos menjanuar edhe Elbasanin, që nuk arriti këtë vit të merrte pjesë në katershe apo të bënte diçka në Kupë. Besoj se Elbasani mund të tentojë për një vend në Europë sezonin e ri.
Cilët lojtarë, sipas jush, ishin ata që spikatën në këtë kampionat? Keni dy-tre emra që ju kanë bërë përshtypje?
Lojtarët që bënë diferencën, normalisht që janë në dy ekipet që fituan trofe këtë sezon, kampionët dhe fituesit e Kupës. Nëse do të kesh lojtarë të mirë, puna duket. Edhe në ekipet që nuk morën pjesë në “Final 4”, mund të ketë ndonjë element të mirë. Po them që ra në sy faza ofensive e Dinamos, ishte për t’u vlerësuar, ndërkohë që prapavija la për të dëshiruar. E kundërta ishte me Egnatian, që mbrojtjen e kishte të konsoliduar, por sulmi erdhi me vonesë aty ku donte. Zaëergja me Itodon te pjesa e sulmit dhe Xhemajli bënë diferencën.
Mendoni se këtë verë do të arrijë një ekip nga Superiorja të luajë në grupet e një kompeticioni?
Partizani dhe Vllaznia aktualisht janë në rikonstruksion dhe do të kenë pak punë për të bërë ekipin. Ndërkohë, Egnatia dhe Dinamo e kanë ruajtur boshtin dhe ndoshta me nja dy përforcime e kanë mundësinë.
Niveli që kanë arritur legjionarët e ka penalizuar pak thirrjen e lojtarëve nga kampionati vendës në Kombëtare…
Patjetër që po. Duke qenë se ata luajnë në ekipe prestigjoze, zgjedhja mund të jetë më se normale. Çdo lojtar që është i thirrur në Kombëtare, do të japë më të mirën, duke qenë se janë në limitet e përfundimit të sezonit.
Si ju është dukur lista e Silvinjos?
Mendoj se ishte e pritshme. Duke qenë se është pak ndeshje specifike, siç është përjetuar edhe më parë ku të gjithë përjetuan diçka aty. Kur kujton atë ndeshje, të vjen ndërmend pjesa e flamurit dhe shumë gjëra mbrapa. Mendoj se koha ka ndryshuar dhe i ka shmangur problemet. Them se do të fokusohen te pjesa e futbollit, dhe pse jo me një fitore
Të gjithë kanë ata lojtarët e preferuar, cili është formacioni ideal i Endri Vrapit për ndeshjen kundër Serbisë?
Kjo është një përzgjedhje që çdokush te pjesa e futbollit do të kishte një dëshirë. Të paktën, e para, të fitonte Shqipëria dhe, e dyta, lojtarëv më në formë mund t’u kërkojmë 100 përqind. Personalisht do të doja të shihja një ekip me dy sulmues. Do të rrezikonim pak, por, nëse do të kërkonim që në ndeshjen direkte me Serbinë të fitonim, mendoj se do të ishte më mirë me dy. Në portë, do të vijoja me Strakoshën. Do të më pëlqente që të luanim me një skemë 3-4-1-2, duke u përshtatur me Gjimshitin në pozicionin ku luan tek Atalanta, Ismajlin në qendër dhe Kumbullën djathtas.

Duke parë se Asllani dhe Ramadani kanë qenë konstantë në Kombëtare, mund të jenë dyshja e qendrës. Nga krahët, një mundësi do të ishte Balliu, i cili arriti një sukses me klubin e vet dhe në krahun tjetër Mitaj, që u shpall kampion në Arabi. Treshja përpara, Nedim Bajrami do ta bënte më së miri pjesën pas sulmuesve dhe në sulm do të preferoja dy lojtarë që të kenë shtatlartësi. Armando Broja dhe Rei Manaj do të ishin ata që unë do të zgjidhja.
Sa shanse ka Shqipëria për t’u kualifikuar në Botëror?
Çdo shqiptar e ka ëndërr që ekipi i tyre të jetë prezent në çdo kompeticion. Duke qenë se ne shohim edhe grupin dhe mundësitë tona, të cilat janë, pse të mos ta provojmë. Ndoshta në këtë ndeshje mund të provojmë diçka dhe, nëse e fitojmë, do të flisnim ndryshe pastaj për Botërorin.
