“Mafia e Viterbos” e kanë quajtur mediat italiane një grup italo-shqiptar prej 11 të arrestuarish që kanë dalë të mërkurën para gjykatës së Apelit. Seanca e radhës do të mbahet në korrik për shkak të një kërkese të avokatëve. Grupi mafioz italo-shqiptar që drejtohej nga bosët Giuseppe Trovato dhe Ismail Rebeshi u godit më 25 janar 2019 dhe çoi fillimisht në pranga 13 persona.
Hetimet e koordinuara nga prokurori i antimafia Giovanni Musarò përfunduan në fund të vitit 2024. Të pandehurit akuzohen për përdorimin e metodave mafioze. Ata akuzohen për plagosjen e 7 personave, përfshirë një marshall të karabinierëve, politikanin Claudio Ubertini dhe dy djemtë e tij.
Ubertini ishte ndër të parët që u rebelua, duke raportuar dhe duke bashkëpunuar në mënyrë aktive me hetuesit. Kjo çoi në 9 dënime përfundimtare për lidhjet e grupit me stilin mafioz.
Anëtarët shqiptarë të grupit janë Spartak Patozi, i njohur si “Ricmond” apo “Ricciolo”, lindur në Shqipëri më 3 korrik 1988; Ergen Petshtanaku, lindur në Shqipëri më 07.02.1996, i shpallur në kërkim më 19.09.2024; Sabri Patozi, lindur në Shqipëri 03.06.1992; Eduart Voka, lindur në Shqipëri më 5 korrik 1979 dhe Emanuela Hima, lindur në Shqipëri më 29 korrik 1978.

Ata akuzohen për një grabitje në zyrën postare të Caninos më 28 nëntor 2020. Ata dyshohen se dogjën dy makina natën midis 7 dhe 8 janarit 2018, si hakmarrje për një fyerje të supozuar financiare ndaj një anëtari italian të grupit. Shqiptari Eduart Voka thuhet se kishte zakonin e keq të djegies së makinave të policisë.

(Kërcënimi me kokë të prera kafshësh)
Makina e parë që i vuri flakën ishte Audi i një zv.brigadieri në natën midis 18 dhe 19 prillit 2017. E dyta ishte Passat i një kolegu që po hetonte sulmin për zjarrvënie, të cilit iu vu flaka natën midis 11 dhe 12 qershorit 2017.
Midis atyre që kanë bërë padi është edhe një pronar restoranti 58-vjeçar, Jaguari i të cilit u dogj jashtë shtëpisë së tij më 21 dhjetor 2018 nga banda. Ai vendosi të shkonte te Karabinierët një vit më vonë, në nëntor 2019, kur vëllai i Ismail Rebeshit, Davidi, u shfaq në klubin e tij në Toskana me 3 shqiptarë 20-vjeçarë që u përpoqën t’i zhvatnin 6500 euro.
Teksa hetimet vazhdonin u zbulua se kur Rebeshi ishte në burg, midis 8 majit dhe 7 qershorit 2019, në bashkëpunim me partneren e tij Laura Jona Zaharia dhe partneren e vëllait të tij Emanuela Hima, ai dyshohet se kreu dy operacione për të shmangur dispozitat për parandalimin e pasurisë, me rrethanën rënduese të “kryerjes së veprës penale me qëllim lehtësimin e aktivitetit të shoqatës mafioze”.
Ai dyshohet se e regjistroi në mënyrë fiktive pronësinë e kompanisë së makinave “Bicu” me seli në Viterbo në emër të dy grave.
Dënimet
– Giuseppe Trovato: 12 vjet e 9 muaj burgim
– Ismail Rebeshi: 10 vjet e 11 muaj
– Spartak Patozi: 8 vjet e 8 muaj
– Gabriele Laezza: 7 vjet
– Shkelzen Patozi: 6 vjet e 4 muaj
– Fouzia Oufir: 5 vjet
– Gazmir Gurguri: 4 vjet e 8 muaj
– Sokol Dervishi: 4 vjet e 6 muaj
– Luigi Forieri: 3 vjet e 6 muaj