Teo Hernandez është në një moment kulmor të karrierës së tij pasi këtë verë, ajo mund të marrë një kthesë të rëndësishme. Kjo për faktin se futbollisti francez ka marrë një ofertë të rëndësishme nga Arabia Saudite gjatë ditëve të fundit.
Sipas mediave italiane, Al Hilal i ka ofruar atij një kontratë me 18 milionë euro neto në sezon, një shifër shumë e lartë që nuk përballohet nga klubet në Europë, aq më tepër Milani i cili ka një tavan të qartë rrogash dhe i ka kushtuar vëmendje të madhe kursimit në vitet e fundit.
Kësisoj, menaxheri i lojtarit sot është shfaqur në ambientet e klubit ku ka takuar Igli Taren, i cili duhet të merret me strategjinë e merkatos si në hyrje, ashtu edhe në dalje. Paraqitjet në rënie të francezit e kanë bërë atë një emër që mund të sakrifikohet në merkato. Ndaj në mediat italiane aludohet se Tare ka dhënë miratimin e tij për shitjen e Teo Hernandez, gjithmonë nëse vjen oferta e duhur nga sheikët për futbollistin i cili është nën kontratë deri në verën e vitit 2026.