Gjyqi i shumëpritur për vdekjen e legjendës së futbollit Diego Maradona është anuluar zyrtarisht nga Gjykata e Tretë Penale e San Isidros, pas një skandali që ka tronditur sistemin gjyqësor argjentinas.
Gjyqi për vrasje me dashje të mundshme ndaj shtatë anëtarëve të ekipit mjekësor që kishin për detyrë kujdesin e Maradonës pas operacionit të tij në tru, u pezullua fillimisht pasi një prej gjyqtareve, Julieta Makintach, u shfaq në mënyrë të papritur në një dokumentar televiziv mbi rastin.
Në pamjet e trailer-it të mini-serialit, e quajtur tashmë nga mediat “Gjyqtarja e Zotit”, Makintach shihej duke përgatitur dokumente në një tavolinë gjyqi, ndërsa transmetoheshin pamje nga momentet kritike të vdekjes së Maradonës, përfshirë edhe një telefonatë emergjente që kërkonte ambulancë.
Këto pamje tronditëse, të dyshuara se janë filmuar brenda sallës së gjyqit pa leje, përbëjnë shkelje të rënda të procedurës gjyqësore dhe çuan në sekuestrimin e provave nga policia. Si pasojë, Makintach ka dhënë dorëheqjen dhe procesi është shpallur “i pavlefshëm”.
Me largimin e saj, trupa gjykuese mbeti vetëm me dy anëtarë: Maximiliano Savarino dhe Verónica Di Tommaso. Ishte gjyqtari Savarino që njoftoi zyrtarisht anulimin e procesit, duke thënë:
“Gjithçka po shkonte mirë, përveç një personi që doli jashtë vijave. Kjo çështje duhet të dëgjohet në një gjykatë tjetër.”
Reagime emocionale nga familja Maradona
Vendimi shkaktoi shpërthim emocionesh në sallë: vajzat e Maradonës, Dalma dhe Gianinna, shpërthyen në lot teksa dëgjuan që gjyqi u anulua. Gianinna kishte deklaruar më herët se babai i saj “mbahej në një vend të errët dhe të vetmuar”, duke akuzuar ekipin mjekësor për neglizhencë dhe motivim financiar.
Maradona vdiq në nëntor 2020 në moshën 60-vjeçare, nga një atak në zemër, ndërsa po shërohej në shtëpi nga një operacion i ndërlikuar për mpiksje gjaku në tru.
Rreziku i dënimit: 8 deri në 25 vite burg
Shtatë të akuzuarit përfshijnë një neurokirurg, një mjek personal dhe disa infermierë. Ata po përballen me akuza për vrasje me dashje të mundshme, me rrezik dënimi nga 8 deri në 25 vite burg.
Ata kanë mohuar akuzat, duke pretenduar se Maradona kishte refuzuar çdo trajtim të mëtejshëm dhe kishte insistuar të qëndronte në shtëpi.