Presidenti i SHBA, Donald Trump, nuk humbi rastin të komentojë një video virale që ka qarkulluar gjerësisht në rrjet, ku duket se zonja e parë e Francës, Brigitte Macron, i jep një shuplakë bashkëshortit të saj, presidentit Emmanuel Macron, ndërsa zbresin nga avioni në një vizitë në Vietnam.
Gjatë një deklarate për gazetarët të premten, Trump u pyet nëse kishte ndonjë këshillë martese për homologun e tij francez. Me stilin e tij të zakonshëm sarkastik, ai u përgjigj:
“Sigurohu që dera të mbetet e mbyllur.”
Presidenti amerikan tha se kishte komunikuar me Macron pas incidentit, duke theksuar se “të dy janë mirë” dhe i cilësoi si “njerëz shumë të mirë”.
“Nuk ishte një moment i mirë. Fola me të dhe janë mirë, janë dy njerëz shumë të mirë. Nuk e di saktësisht çfarë ndodhi, por i njoh mirë dhe nuk është ndonjë problem i madh,” shtoi Trump.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron është përpjekur të minimizojë zhurmën e krijuar, duke u shprehur:
“Ka një video ku dukem duke bërë shaka dhe ngacmuar gruan time, dhe papritur ajo bëhet një katastrofë gjeopolitike, me njerëz që shpikin teori për ta shpjeguar.”