PSG dhe Interi diskutojnë sot në Mynh mes tyre finalen e Ligës së Kampioneve, një turne i cili është më i lakmuari për klubet në Europë, aq më shumë për parisienët të cilët ishin ndërtuar prej shumë vitesh me atë si objektiv kryesor.
Klubi nën drejtimin e Luis Enrike pësoi ndryshime drastike duke larguar yjet e mëdhenj, por duke bërë me të rinj atë që Mesi & Co. nuk bënë dot realitet.
Sot parisienët shkojnë në finale me bindjen se mund të bëjnë të tyrin trofeun, por për çudinë e të gjithëve, nuk do të jenë me armë të barabarta me Interin.
Në protokollin e ndeshjes të klubit francez, siç shihet më poshtë në atë të publikuar nga UEFA, rezultojnë vetëm 22 lojtarë nga 23 që mund të regjistrohen aty.
Nuk dihet arsyeja pse, por Luis Enrike ka preferuar një lojtar më pak se sa lejon protokolli, ndryshe nga Simone Inzagi i cili nga ana tjetër ka marrë çdo alternativë të mundshme që ia lejonte rregullorja.
