BESARTA BASHA/Gjatë muajve të verës, kur shumica e profesionistëve gëzojnë pushimet sezonale, për mësuesit dhe kandidatët për t’u bërë mësues, kjo periudhë shënon nisjen e një procesi për t’u bërë pjesë e sistemit arsimor.
Portali “Mësues për Shqipërinë” është tashmë një mekanizëm në përdorim prej thuajse një dekade përmes të cilit përzgjidhen dhe renditen mësuesit, duke iu dhënë shansin për punësim të parëve atyre, që mbledhin më tepër pikë nga vlerësimi i dosjes dhe testimi. Gara nis nga kjo e hënë me dorëzimin e dosjes dhe ankthi zgjat deri në 2 shtator (kur shkollat hapen në datë 8), kur dalin emrat që futen në sistemin arsimor, ndërkohë që të tjerët mbeten në pritje të lirimit të ndonjë vendi gjatë vitit arsimor.
RI FAZAT PËR PUNËSIM
Faza e parë e këtij procesi fillon me aplikimin “online”, përmes shërbimit “Aplikim për konkurrim për punësim si mësues” në portalin qeveritar “e-Albania”. Për kandidatët e licencuar, afati i aplikimit është nga data 2 deri më 16 qershor 2025. Ndërkohë, kandidatët që kanë dhënë provimin e licencës në maj ose janë në proces licencimi mund të aplikojnë nga 13 deri më 23 qershor 2025. Gjatë aplikimit, secili kandidat zgjedh Drejtorinë Rajonale të Arsimit Parauniversitar (DRAP) sipas vendbanimit të përhershëm dhe deri në tri ZVAP-e (Zyra Vendore të Arsimit Parauniversitar) ku dëshiron të konkurrojë.
Në rast se kandidati zotëron më shumë se një licencë profesionale, ai mund të aplikojë për më shumë se një profil, përmes aplikimeve të ndara. Përveç kësaj, është e mundur të shprehet interes edhe për pozitat e mësuesit ndihmës apo mësuesit në dispozicion, përmes përzgjedhjes së opsioneve përkatëse në formular. Komisionet e Vlerësimit të Dosjeve (KVD) zhvillojnë vlerësimin e dosjeve gjatë periudhës 8 – 27 qershor 2025. Vlerësimi bazohet në një skemë të miratuar pikëzimi, e cila merr parasysh: notën mesatare të studimeve, kategorinë e kualifikimit profesional, certifikatat e gjuhëve të huaja, numrin e krediteve të trajnimeve, përvojën në punë si mësues.
Kandidatët kanë të drejtë të ankimojnë vlerësimin nga data 1 deri më 3 korrik 2025, ndërsa komisionet shqyrtojnë dhe finalizojnë listën e kandidatëve të kualifikuar deri më 10 korrik. Faza e dytë përfshin testimin e informatizuar, i cili organizohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA) dhe zhvillohet brenda datës 25 gusht 2025. Kalendari i testimeve publikohet në faqet zyrtare të institucioneve përkatëse.
Kandidatët që nuk dëshirojnë të ruajnë pikët e një testimi të mëparshëm kanë të drejtë të ritestohen. Pas shpalljes së rezultateve, kandidatët mund të ankimojnë rezultatin brenda 3 ditëve pune. QSHA shqyrton ankesat dhe në rast pranimi, reflekton ndryshimet në pikëzimin përfundimtar brenda 5 ditëve pune.
Faza përmbyllëse është publikimi i listës përfundimtare, e cila përfshin të gjithë kandidatët sipas renditjes së pikëve të fituara nga dosja dhe testimi. Kjo listë shpallet deri më 2 shtator 2025 dhe përbën bazën për emërimet e mundshme në institucionet arsimore në fillim të vitit shkollor.
TRI FAZAT PËR PUNËSIMIN E MËSUESVE
- Vlerësimi i dosjeve të aplikimit
- Testimi i informatizuar
- Faza e tretë: Lista përfundimtare
DOKUMENTET QË NEVOJITEN PËR APLIKIM
- Kopje e diplomës/ave për ushtrimin e profesionit të mësuesit dhe listën e notave, (të detyrueshme për t’u ngarkuar).
- Kopje e librezës së punës e plotësuar deri në momentin e aplikimit. (nëse ka dhe dëshiron të vlerësohet me pikë). Kopje e dëshmive të kualifikimit për kategoritë: “Mësues i kualifikuar”, “Mësues specialist”, “Mësues mjeshtër” (nëse ka dhe dëshiron të vlerësohet me pikë).
- Kopje e certifikatave me kredite të trajnimeve të kryera brenda dhe jashtë vendit. Certifikatat me kredite të trajnimeve të kryera brenda vendit të jenë ofruar nga MAS, institucionet e varësisë ose nga agjencitë e akredituara (nëse ka dhe dëshiron të vlerësohet me pikë).
- Kopje e dëshmisë së njohjes së gjuhës/ve të huaja (nëse ka dhe dëshiron të vlerësohet).
******
Raste të veçanta, si aplikojnë mësuesit që zotërojnë më shumë se një licencë
Një grup rregullash me raste të veçanta se si duhet operuar janë përmbledhur në udhëzimin e ministrisë. Si rregull, kandidati aplikon në Drejtorinë Rajonale Arsimore, ku ka vendbanimin e përhershëm dhe ka të drejtë të përzgjedhë deri në 3 (tre) ZVAP ku dëshiron të punësohet. Por si procedohet me ata që kanë më shumë se një licencë?!
“Kandidati që zotëron më shumë se një licencë, ka të drejtë të konkurrojë në profilet sipas licencave përkatëse, duke bërë aplikim më vete për secilën licencë”, – citohet në udhëzimin e MAS, në të cilin përcaktohet gjithashtu se kandidati, i cili ka dhënë provimin e licencës për profilin që aplikon dhe ka rezultuar i suksesshëm, si dhe testimin për portalin “Mësues për Shqipërinë”, përzgjedh nëse do të ruajë pikët e testimit apo kërkon të ritestohet për këtë portal.
Kandidati, i cili nuk ka detyrim licencimin sipas përcaktimeve ligjore dhe kandidati i arsimit parashkollor, do të zgjedhë opsionin “Dëshiroj të vazhdoj pa licencë”, për të vijuar më tej aplikimin. Mësuesi që dëshiron të punësohet si mësues në dispozicion ose si mësues ndihmës, krahas aplikimit për profilin përkatës, në aplikimin e tij duhet të zgjedhë edhe opsionin “Mësues në dispozicion” ose “Arsim special”. Sasia e pikëve të marra në provimin e licencës për profilin që aplikon konfirmohen automatikisht nga portali.