Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i është drejtuar me një letër Presidentit të Republikës, Bajram Begaj në të cilën shprehet shqetësimi për përfshirjen e Kabinetit të tij në procesin zgjedhor të 11 majit. Bardhi është ankuar për një nga 5 anëtarët e KAS në KQZ, Ilirjan Rusmaili, i cili këtë të premte mbështeti me votën e tij, 4 kandidatë të PD, (Ilir Alimehmeti, Aulon, Kalaja, Lisandër Hoxha dhe Mimoza Hadarmataj), të cilët kërkojnë rnumërim të votave të tyre në Tiranë. “Çudia” dhe absurdi ishte se 2 përfaqësuesit e PD në KAS bashkuan votat me ata të PS, duke rrëzuar kështu kërkesën e 4 kandidatëve të Partisë Demokratike të cilët pretendojnë se kanë konstatuar nga pamjet filmike, devijim të votës së tyre personale.
Menjëherë pas kësaj PD nëpërmjet kryetarit të grupit parlamentarë, ka sulmuar Rusmailin duke e konsideruar deturën e tij në KAS, si një shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe të parimit të neutralitetit politik që duhet të garantojë Institucioni i Presidentit.
Sipas Partisë Demokratike, përfshirja e këshilltarit ligjor të Presidentit, Ilirjan Rusmali, në cilësinë e anëtarit të Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përbën një ndërhyrje të papranueshme në administrimin e zgjedhjeve.
“Presidenti dhe Institucioni i Presidentit nuk kanë asnjë rol në administrimin e zgjedhjeve, dhe përfshirja e Kabinetit tuaj është një shkelje e hapur e Kushtetutës”, thuhet në letrën e firmosur nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.
Në reagimin e tij, Bardhi thekson se kjo përfshirje bie ndesh me nenin 86 të Kushtetutës, ku përcaktohet se Presidenti i Republikës përfaqëson unitetin e popullit dhe qëndron mbi palët politike.
Bardhi i kërkon kreut të shtetit të japë sqarime nëse ka autorizuar përfshirjen e Kabinetit të tij në procesin zgjedhor, si dhe të tërhiqet menjëherë nga çdo rol aktiv në certifikimin e rezultatit.
PD e cilëson këtë akt si një “atentat ndaj demokracisë”, duke nënvizuar se përfshirja e Presidentit në procesin zgjedhor shkel kufirin kushtetues mes shtetit dhe partisë në pushtet, dhe rrezikon të legjitimojë një “farsë elektorale”.
“Ju keni përgjegjësinë të ruani paanësinë institucionale dhe të ndalni çdo tentativë për shkrirjen e shtetit me partinë në pushtet”, përfundon letra.