Katër baza ajrore ruse që strehojnë bombarduesit bërthamorë të Putinit janë goditur nga një sulm i jashtëzakonshëm me dronë – ku raportohet se janë shkatërruar të paktën 40 avionë.
Burime të sigurisë ukrainase i thanë Kyiv Post se operacioni special – me emrin e koduar “Rrjeta” – kishte në shënjestër bazat ajrore Belaya, Diaghilevo, Olenya dhe Ivanovo.
Sipas tyre, bombarduesit me rreze të gjatë veprimi Tu-95 dhe Tu-22M3 – të përdorur në sulmet e përditshme ajrore ndaj Ukrainës – si edhe një avion i tipit A-50 janë dëmtuar ose shkatërruar.
Burimi e cilësoi këtë si një “pikë kthese” në luftë dhe tha se “mosndëshkueshmërisë së Rusisë i ka ardhur fundi”.
Një zyrtar tjetër ukrainas i sigurisë i tha Reuters se shërbimi sekret SBU kishte ndërmarrë një sulm të gjerë me dronë ndaj bombarduesve strategjikë Tu-95 dhe Tu-22 – të cilët Rusia i përdor për të lëshuar raketa me rreze të gjatë ndaj Ukrainës.
Burimi nuk specifikoi vendndodhjen e sulmit me dronë, por media ukrainase raportoi se baza ajrore Olenya – ku ndodhen bombarduesit strategjikë Tu-95 – ishte në shënjestër.