Këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme do të hidhet shorti për të përcaktuar treshen e gjyqtarëve që do të gjykojnë në themel dosjen “Partizani”, ku nën akuzë është Sali Berisha, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.
Ndërkohë, gjyqtarja e seancës paraprake, Floreja Davidhi ka dorëzuar vendimin e zbardhur të saj, që kaloi dosjen për gjykim.
Nga shorti përjashtohen vetëm Floreja Davidhi dhe Irena Gjoka, pasi kanë qenë gjyqtare të hetimeve paraprake dhe të seancës paraprake.
Po të hënën Berisha duhet të paraqitet për të zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, e dhënë nga Apeli i GJKKO-së.
Dhëndri i tij ndodhet me masën “arrest shtëpie” prej vitit 2023. Të pandehurit e tjerë janë biznesmenët Xhimi Begeja dhe Fatmir Bektashi dhe noterja Andia Pustina.