Prokurori i Posaçëm Alfred Shehu bëri me dije se grupet kriminale të goditura në bashkëpunim me SPAK dhe autoritetet finlandeze kishin baza në disa qytete të vendit, ku vepronin të lirë dhe për një kohë të gjatë pa u identifikuar nga autoritetet, falë hetimeve të fshehta.
“Dy nga krerët e grupeve kriminale janë me origjinë nga Vlora. Shqipëria është e vogël dhe aktivitetet sot kryhen edhe me mjete të komunikimit elektronik. Pjesa tjetër ka qenë e përqendruar në Kuçovë dhe Berat, një pjesë e tyre kanë qenë të vendosur në Tiranë,” – u shpreh Shehu.
Sipas tij, këta shtetas nuk kishin ndonjë aktivitet të ligjshëm që t’i ekspozonte ndaj kontrollit të institucioneve. Ata lëviznin lirshëm, brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke mbajtur një profil të ulët për të shmangur hetimin.
“Ata kanë qenë qytetarë të lirë. Hetimet tona kanë qenë të fshehura, por pjesa më e madhe e tyre lëviznin edhe jashtë shtetit,” – theksoi prokurori.
Ndërsa komisari i Finlandës u shpreh se personat komunikonin me njëri tjetrin me platformat “Telegram” dhe “Signal”. Ndërsa theksoi se mënyra e transferimit të parave është në proces hetimi.