Kryeministri Edi Rama ka njoftuar hapjen e 36 qendrave shëndetësore verore në kuadër të fillimit të sezonit turistik.
Në një mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, Rama theksoi se këto qendra janë të pajisura plotësisht dhe do të jenë në funksion 24 orë në ditë, 7 ditë të javës, gjatë gjithë verës.
“MIRËMËNGJES 😊 me njoftimin se, në nisje të sezonit veror, janë hapur 36 qendra shëndetësore verore në të gjithë vendin – të kompletuara me pajisje, sinjalistikë dhe staf mjekësor të specializuar, të cilët do të jenë në shërbim të qytetarëve 24/7 – ju uroj një ditë të mbarë,” shkroi Kryeministri nw rrjetet sociale.
Këto qendra janë vendosur në zonat bregdetare dhe turistike më të frekuentuara dhe synojnë të garantojnë siguri shëndetësore për qytetarët vendas dhe turistët që zgjedhin Shqipërinë si destinacion pushimi.
Qendrat shëndetësore verore janë pjesë e një strategjie të përvitshme të Ministrisë së Shëndetësisë dhe synojnë ofrimin e ndihmës së shpejtë mjekësore për urgjencat dhe problemet më të zakonshme shëndetësore gjatë sezonit turistik.