Administrata Tatimore ka zbuluar se gjatë muajit të fundit janë shtuar 4.7 miliardë lekë detyrime të papaguara nga individë dhe biznese që nuk kanë shlyer në kohë taksat dhe sigurimet.
Shumica e borxhit vjen nga tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH), tatimi mbi fitimin dhe kontributet shoqërore e shëndetësore. Sektorët më të prekur janë Ndërtimi, Shërbimet, Tregtia dhe Prodhimi.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i ka bërë një thirrje të qartë të gjithë tatimpaguesve që të paguajnë detyrimet brenda afateve ligjore për të shmangur masat ndëshkuese.
“Për të shmangur penalitetet dhe masat shtrënguese, bëjmë thirrje për pagesë të menjëhershme të detyrimeve”, thuhet në njoftim.
Në fund të vitit 2024, detyrimet e papaguara arritën në 162.5 miliardë lekë (rreth 1.62 miliardë euro), një rritje prej 4.7% në krahasim me vitin e kaluar.