Nënë Tereza, Nobelistja e Paqes, rrallëherë fliste shqip pasi vazhdimisht komunikonte në anglisht dhe në italisht.
Por, Nënë Tereza ka shkruar një letër, që ka dhe fraza në gjuhën shqipe, të shkruar prej saj me dorë, drejtuar regjimit komunist duke negociuar një vizitë të saj në Shqipëri.
Kjo letër, që ndodhet në Arkivin Qëndror, mban datën 29 Tetor 1989.

Letra është prezantuar nga drejtori i Arkivit, Ardit Bido, për emisionin Opinion në Tv Klan.
“Unë ja kam dhënë besën e shqiptarit Zotit me prue dashni dhe paq në gjithë botën. Zemra jonë ka një dashuri të madhe me ardh në atdhe”, thuhet ndër të tjera në këtë letër të Nënë Terezës.
“Për mua kjo frazë është emblematike”, thotë drejtori i Arkivit, Ardit Bido.
Letra me shkrim dore e Nënë Terezës, mbyllet sërish në shqip: “Unë do të lutem shumë për ju, Zoti qoftë me ju”.