Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka mbajtur një fjalim të ashpër dhe vetëkritik në seancën plenare të Kuvendit, ku nuk kurseu as kolegët e opozitës.
Ai deklaroi se Parlamenti është kthyer në një teatër, ku aktorët luajnë role pozitive dhe negative. Sipas tij, deputetët e opozitës po pranojnë të jenë “rrogëtarë” për katër vitet e ardhshme.
“Ndihem i lumtur që do jem pjesë e një teatri për katër vitet e ardhshme, të kësaj salle që është shndërruar në një skenë me dy aktorë: ata që luajnë rolet pozitive dhe opozita që luan rolet negative,” u shpreh Sula.
Ai shtoi se opozita është zhgënjyese dhe qytetarët i kanë lënë në harresë për shkak të mungesës së besueshmërisë dhe përçarjes së brendshme.
Ai theksoi se pas 30 vitesh në politikë, ky është fjalimi që nuk do të donte të mbante, sidomos duke parë gjendjen në të cilën ndodhet Partia Demokratike. Ai theksoi se nuk do të fajësojë Edi Ramën këtë herë, por vetë opozitën për humbjen në zgjedhjet e 2025-ës.
“Nuk do flas për Edi Ramën, as për manipulimet e zgjedhjeve të 2017, 2021 apo 2025, jo se nuk kanë ndodhur, por sepse ne vetë kemi dështuar të jemi alternativë e besueshme. Kemi humbur zgjedhjet për shkak të vetvetes, dhe kjo është e vërteta që duhet ta themi me zë të lartë brenda PD,” deklaroi ai.
Nje thirrje kishte edhe per Sali Berishen, që të tërhiqet dhe ti hape rruge shpetimit te PD: “Do i bëja thirrje këtu nga Kuvendi, nëse të dhimbset ende kjo krijese që ndërtove vetë, tërhiqu dhe lërë garën e lirë dhe të barabartë. Ki besim tek demokratët, jo sic bërë në 2013 që ja dhe beniaminit tënd dhe shkatërrove karrierën politike te Sokol Olldashit. Është momenti që të shijosh me familjen, nipër e mbesa këtë energji që të ka dhënë zot dhe hapi rrugë shpëtimit të PD”
Dashnor Sula: Ndihem i lumtur që do jem pjesë e një teatri 4 vitet e ardhshme të kësaj salle, që është shndërruar në një teatër me dy aktorë, që luajnë rolet pozitiv dhe ata që luanin role negativë. Aktorët e roleve negative janë të opozitës, të cilët janë të lumtur që do marrin një rrogë për katër vite dhe që qytetarët i lanë në harrese.
Pas 30 vitesh angazhim ky është fjalimi që unë nuk do doja të mbaja në këtë sallë, aq më pak kur shoh PD në këtë gjendje që ndodhet sot.
Unë sot për herë të parë nuk do flas për Edi Ramën, nuk do flas për manipulimet e zgjedhjeve 2017, 2021, 2025, jo se nuk ekzistojnë, por nuk dua të bëj atë që kanë bërë për 4 vite me radhë, t’ia vënë fajin tjetrit për gjithçka që na ndodh ne brenda PD. E vërteta është kjo, opozita i ka humbur zgjedhjet për shkak të vetvetes në radhë të parë. Kjo është e vërteta që duhet ta pranojmë me zë të lartë brenda PD. Jo se Edi Rama është i ndershëm, por sepse ne nuk arritëm të bindnim qytetarët se ishim alternativë e besueshme. Sot PD është në përfaqësimin më të dobët në historinë e saj, vetëm 50 deputetë në parlament që janë të lumtur që do jenë rrogëtarë në 4 vitet e ardhshme. Pas 3 mandateve radhë të PS qëndrimi ynë politik duhet të ishte më i fortë, më i organizuar. Por ne humbëm edhe më thellë. Pse ndodhi kjo? Nuk mjafton të thuash Rama na i bleu votat, nuk mjafton të thuash na manipuluan votat. Sepse kemi humbur mbi 250 mijë vota krahasuar me 2021. Këta nuk na i bëri Rama, por e bëmë vetë me dorën tonë.