Një çift shqiptar është arrestuar në qytetin Ador të Spanjës, pasi akuzohen për ngritjen dhe menaxhimin e një “shtëpie bari” ku kultivohej kanabis në mënyrë të paligjshme. Sipas mediave vendase, në ambientet e brendshme të shtëpisë janë sekuestruar 809 bimë marihuanë, me një peshë totale mbi 177 kilogramë.
Të arrestuarit janë një burrë dhe një grua shqiptarë, përkatësisht 22 dhe 27 vjeç, të cilët jetonin në atë banesë. Policia vendase njoftoi se hetimi kishte nisur që në fillim të muajit të kaluar, pas dyshimeve se në atë zonë po kultivohej kanabis.
Agjentët e Brigadës së Policisë Gjyqësore vendosën mbikëqyrje pranë banesës dhe zbuluan erën karakteristike të marihuanës, si dhe sinjale të tjera që tregonin për aktivitet të paligjshëm. Gjatë operacionit, autoritetet gjetën pajisje profesionale për kultivim, si llamba speciale, sisteme ajrimi dhe instalime elektrike të modifikuara.
Të dyshuarit, të cilët nuk kishin precedentë penalë, dolën para gjykatës dhe ndaj tyre u caktua masa e arrestit me burg. Përveç akuzës për krim kundër shëndetit publik, atyre u është ngritur edhe akuza për mashtrim me energjinë elektrike, pasi kishin realizuar lidhje të paligjshme për të furnizuar pajisjet e kultivimit.
Sipas policisë, nëse lënda narkotike do të dilte në treg, do të sillte përfitime prej qindra mijëra eurosh.