I penduari i drejtësisë, Artan Tafani, ka zbërthyer sot në gjyq një seri ngjarjesh kriminale.
Tafani ka hedhur dritë mbi vrasjen e 1 qershorit të vitit 2022, ku viktimë ishte biznesmeni Çajup Selimi.
Biznesmeni u qëllua për vdekje me armë zjarri në qendër të Tepelenës.
Selimi, i cili kishte një dyqan shumice me prodhime gruri, u qëllua me armë zjarri, dhe për pasojë nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.
Lidhur me këtë i penduari i drejtësisë, Artan Tafani, tregoi me detaje momentin e ekzekutimit të Selimit.
“Pasi shkova tek pallati, po rrija ngjitur me hyrjen dhe dëgjova një makine si benz që kishte ai, isha ballë për ballë me atë kisha maske covidi edhe një kapele, po më shikonte dhe pati si dyshim. U fut në hyrje të pallatit, ai u ngjit kat parë kat 2, unë isha nga mbrapa tij, ishte qeros dhe unë dija dhe rrobat që kishte veshur atë ditë të kuqe, aty e qëllova nga mbrapa , 3 herë e shkrepa e qëllova, një herë ne shpatull dhe 2 herë të tjera por se di ku e kapi… Ika me vrap për nga burgu Bënçës, rashë ne ca ferra aty si jashtë qytetit, armën e kisha me vete, zastava ose bereta e vogël, me silenciator, s’po gjeja rrugicën që të dilja, sipas planit duhet te dilja tek lumi Vjosa ku do vinte Ligori”, tha Tafani.
Gjithashtu Tafani zbuloi se nofkat e Laert Haxhiut mes të njohurve në botën e krimit ishin “ Alufi” dhe “filja”.