Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të vazhdojë masën e sigurimit “arrest në burg” për nëntë shtetas të vënë nën hetim nga SPAK, të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale të lidhur me trafikun dhe prodhimin e narkotikëve, si dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Me kërkesë të SPAK, trupi gjykues me gjyqtaren Etleva Deda shqyrtoi në datën 3 qershor 2025 kushtet e zbatimit të masave të sigurimit për të dyshuarit Besnik Spata, Erind Agalliu (alias Teneqexhiu), Altin Musta, Kevin Qevani, Toni Kota (alias Tavani), Geraldo Seferaj, Eltion Myftari, Ledjon Hoxha dhe Dorjan Luzaj.
Të hetuarit akuzohen për vepra të rënda penale, përfshirë “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, “Trafikimi i narkotikëve”, në formë të përsëritur dhe në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Krijimi dhe drejtimi i grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”.
Sipas SPAK, grupi vepronte në mënyrë të organizuar dhe me role të ndara për trafikun e lëndëve narkotike brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Operacini i SPAK dhe autoriteteve finlandeze
SPAK dhe autoritetet finlandeze kanë hetuar disa grupe kriminale, të përbëra kryesisht nga shqiptarë, të cilët dyshohet se kanë trafikuar sasi të mëdha drogash (si kokainë, kanabis, amfetaminë, ekstazi) nga Holanda dhe Spanja drejt Finlandës, për t’i shitur në qytete të ndryshme atje. Droga transportohej dhe shpërndahej përmes një rrjeti të mirëorganizuar shpërndarësish.
Hetimi ka nisur pas kërkesës që ka ardhur nga policia finlandeze më 21 qershor 2023. Më 21 nëntor 2023, u krijua një “Skuadër e Përbashkët Hetimore” mes SPAK dhe policisë finlandeze. Për 18 muaj janë përdorur metoda speciale si përgjime telefonike dhe filmime të fshehta për të mbledhur prova.
U identifikuan 4 grupe të mëdha kriminale që kanë trafikuar mbi:
400 kg amfetaminë
500 kg kanabis
Sasi të mëdha kokaine dhe ekstazi
Anëtarët e grupeve punonin shpesh bashkë ose për njëri-tjetrin për të përfituar më shumë.