Ish deputeti dhe aleati i Sali Berishës Nard Ndoka ka reaguar me ironi pas vendimit të KAS për hapjen e kutive të Tiranës. Ai shkruan se pandora u hap dhe se opozita rrëzoi vetveten me vetëdije. Po ashtu ai vë theksin tek vjedhja e votës që kandidatët E PD i kanë bërë njëri-tjetrit. Ndoka shkruan gjithashtu se PD e Berishës nuk kërkon standarte, por është pjesë e pazareve.
Postimi i plotë
Pandora u hap – jo për të çliruar shpresën, por për të nxjerrë në shesh gjithë mashtrimin zgjedhor shqiptar.
Kutitë e Tiranës do hapen… pas zgjedhjeve, pas manipulimeve, pas emërimeve, jo votimeve.
Mazhoranca i rrëzoi institucionet si domino, ndërsa opozita rrëzoi vetveten me vetëvjedhje.
Këto nuk ishin zgjedhje, por një provë gjenerale për diktaturë me ngjyrë pluralizmi.
Një PD që nuk kërkon standarde, por pjesëmarrje në pazar.
Një PS që nuk kërkon legjitimitet, por heshtje përballë forcës.
Një sistem që vetë e prodhuan më 2008, që sot e përdorin si armë kundër çdo rreziku për ndryshim.
E paralajmëruam atëherë. Në Parlament. Në grevë urie. Me argument dhe me zemër.
Por kur bashkëpunojnë PS & PD, edhe logjika vetë shpallet e paligjshme.
Ja ku jemi: të njëjtët emra, të njëjtat justifikime, të njëjtat kutira të mbyllura për shqiptarët, por të hapura për klanet.
E duan kutinë e Pandorës jo për të gjetur të vërtetën, por për ta varrosur atë.
E keqja është bërë sistem. Prandaj zgjidhja duhet të jetë sistemike.
Proporcional Kombëtar – që qytetari të mos jetë rob i qarkut e shefit.
Komisione të depolitizuara – që numërimi të mos jetë kalkulim politik.
Votim & numërim elektronik – që çdo votë të peshojë, jo të blihet.
Votë online për diasporën – që Shqipëria e largët të mos jetë më jashtë vendimit.
Kjo është zgjidhja. E dimë të gjithë. Përveç PS-së që sundon, dhe PD-së që fshihet pas hijeve të djeshme.
Çlirojuni nga mashtrimi, nga pazari, nga frika.
Mos u bëni pjesë e të keqes duke heshtur përpara saj.
”Dhe do ta njihni të vërtetën, dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.”

