Teksa kanë mbetur vetëm pak orë nga ndeshja Shqipëri-Serbi, e cila do të mbahet sonte në Tiranë, tifozët e kombëtares shqiptare kanë dalë në rrugët e qytetit me veshje kuqezi duke krijuar atmosferë festive.
Siç duket edhe nga fotot tifozët e kombëtares janë dyndur në rrugët e kryeqytetit, ndërsa nuk kanë munguar as këngët patriotike.

Ndërkohë që mijëra forca policore janë mobilizuar këtë të shtunën në Tiranë, për të garantuar mbarëvajtjen e ndeshjes së futbollit, që zhvillohet në orët e mbrëmjes mes ekipeve të Shqipërisë dhe Serbisë në stadiumin “Arena Kombëtare”.

Shqipëria dhe Serbia janë pjesë e Grupit K për ndeshjet kualifikuese në Kampionatin Botëror 2026, së bashku me Letoninë, Andorrën dhe Anglinë. Aktualisht, Shqipëria ka tre pikë dhe është e dyta në këtë grup, ndërkaq Serbia nuk ka asnjë pikë.

Ekipi i Serbisë ka arritur të premten pasdite në Tiranë, dhe nën shoqërimin e forcave të shumta policore është akomoduar në hotel, dhe më pas i ka kryer stërvitjet e nevojshme.

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve dhe tifozëve që të kontribuojnë në një atmosferë qytetare dhe të kulturuar.
